Gjosha: Barazia gjinore, kusht për integrimin

Oct 31, 2013 | 13:47
SHPËRNDAJE

Gjatë konferencës së djeshme “Gratë dhe procesi i Integrimit Europian”
“Barazia ndërmjet grave dhe burrave është një nga parimet themelore të Bashkimit Europian. Barazia gjinore është një nga pesë vlerat mbi të cilat është themeluar BE-ja, është më shumë se një slogan, arritja e saj është përgjegjësia jonë”. Kështu u shpreh dje gjatë konferencës “Gratë dhe procesi i Integrimit Europian” ministrja Klajda Gjosha. Iniciatorja e këtij takimi me të gjithë aktorët theksoi se qeveria është e vendosur të forcojë rolin e gruas në shoqëri dhe i ka shpallur luftë trafikut të qenieve njerëzore dhe dhunës në familje. Ajo e vuri theksin në nevojën e përfshirjes së grave në procesin e vendimmarrjes. Ministrja theksoi se qeveria do të punojë me angazhim të plotë për përfshirjen në skemën e sigurimeve shoqërore, të punës së papaguar të grave dhe vajzave shtëpiake. Po kështu, do të merren masa për rritjen e aksesit në arsimin profesional, duke eliminuar stereotipat gjinorë, si dhe zbatimin, forcimin dhe monitorimin e ligjit për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve ndaj dhunës. “Ne jemi të angazhuar të punojmë për pagë të barabartë për të njëjtin vend pune, çështje kjo e fokusuar më shumë në sektorin privat”, tha Gjosha. Duke vënë në dukje se shoqëria shpeshherë i ka diskriminuar gratë, ambasadori i BE në Shqipëri, Sequi,  theksoi se barazia gjinore është fondamentale. Një tjetër e ftuar në panel, kryetarja e Komisionit Parlamentar të Integrimit Europian, Majlinda Bregu, u shpreh se është bërë një punë e madhe për legjislacionin, i cili është sot mekanizëm reference për të dënuar dhunuesit. “Por vetëm ndërgjegjësimi, vetëm ligji nuk mjaftojnë. Duhet një fushatë agresive kundër dhunës në familje, e cila nuk bëhet vetëm nga qeveria, por nga të gjithë aktorët. Sot kemi një situatë agravante të dhunës në familje, ndërkohë që kemi një legjislacion të mirë, ndaj është e domosdoshme një fushatë agresive”, tha Bregu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura