Gjobëvënia ndaj Bombajt, Stresi: Dua gjyq të shkurtuar

Feb 29, 2012 | 11:53
SHPËRNDAJE
Arkimed Lushaj, Stresi

TIRANE – Arkimed Lushaj, reperi i njohur me emrin “Stresi”, i akuzuar nga Prokuroria për gjobëvënie ndaj regjisorit Leonard Bombaj, kërkoi gjykim me kohë të shkurtuar në Gjykatën për Krimet e Rënda. E njëjta kërkesë u parashtrua para gjykatës edhe nga të bashkëpandehurit e tij në të njëjtin proces, Erlis Bashaj, Relado Kurti, Sevastjan Kallabaku dhe A. Xhaxhaj. Kërkesa në fjalë u parashtrua dje nga avokatët mbrojtës të secilit prej të pandehurve. Mbrojtësit nuk u shprehën në lidhje me fajësinë e klientëve të tyre, por pretenduan para trupës gjykuese se çështja mund të zgjidhet në gjendjen në të cilën ndodhen aktet. Kërkesa e avokatëve u konsiderua e drejtë edhe nga përfaqësuesi i Prokurorisë në proces. Trupa gjykuese pohoi se do të shprehej në lidhje me këtë kërkesë të të pandehurve në seancën e ardhshme. Nëse kërkesa e të pandehurve do të pranohet, të pandehurit përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit, nëse deklarohen të fajshëm nga gjykata. Të pandehurit e kësaj dosjeje akuzohen nga Prokuroria për Krimet e Rënda për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, në dëm të regjisorit Leonard Bombaj. Sipas organit të akuzës, në bashkëpunim me njëri- tjetrin, ata i vendosën disa “gjoba” regjisorit. Historia nisi në shtator 2010 me disa kallëzime të ndërsjella në polici mes A.Xhaxhajt dhe regjisorit Bombaj, ku e para pretendonte se ishte përdhunuar, ndërsa regjisori se ishte kërcënuar dhe shantazhuar. Në vijim, Prokuroria pushoi procedimin penal ndaj regjisorit për “dhunë seksuale”. Por hetimi u kanalizua te “Stresi” dhe miqtë e tij që, sipas hetimeve, rezultonte se kishin kanosur dhe shantazhuar regjisorin.                                                          ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura