Gjobat e duhanit, Përmbarimi e vjel bashkë me kamatën

Jan 31, 2012 | 15:09
SHPËRNDAJE

Rreth 200 gjoba për shkeljen e ligjit antiduhan janë vendosur në Tiranë nga Task-Force e ngritur 4 muaj më parë. Ndonëse sërish në bare e restorante tymoset lirshëm, krerët e saj paralajmërojnë aksione të tjera. ”Rreth 30 gjoba janë paguar në mënyrë vullnetare nga pronarët e bareve dhe restoranteve. 50 të tjera janë ekzekutuar nga Përmbarimi dhe të tjerat janë në proces. Prej disa muajsh, gjobat për duhanin vlerësohen si tituj ekzekutivë dhe Përmbarimi ndërhyn për mbledhjen e tyre”, është shprehur kreu i Task-Force, Roland Shuperka. Sipas tij, afati i pagesës së gjobave është 10 ditë, në të kundërt, ato do të paguhen më shtrenjtë. Për çdo ditë që kalon do të paguhen 1 mijë lekë më shumë. Në rastet që drejtuesit e bareve apo administratorët e tyre nuk e paguajnë gjobën e vënë nga inspektorët e Task-Force, privatisht apo nëpërmjet ndërhyrjes së kësaj zyre, kjo e fundit do të ndërhyjnë për t’i mbledhur paratë edhe në forma të tjera. “Përmbarimi ka të drejtën të veprojë, duke nisur nga llogaritë personale të tyre deri dhe në orenditë e shtëpisë”, janë shprehur përfaqësuesit e tij. Ligji antiduhan ka më shumë se 5 vjet që ka hyrë në fuqi në vendin tonë, por ka rezultuar i dështuar, pavarësisht nismave dhe aksioneve për ta vënë në zbatim. Sipas ekspertëve, ligji ka vakume të cilat duhen rregulluar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura