Gjoba autobusëve të Athinës, me pasagjerë jashtë Tiranës

Feb 28, 2014 | 13:09
SHPËRNDAJE

Shoferët e autobusëve, gjatë një proteste në Kakavijë
Autobusë të linjave ndërkombëtare me Greqinë janë bllokuar për tri orë nga dogana greke e Kakavijës ditën e djeshme. Shkak ka qenë operimi i këtyre autobusëve me udhëtarë që marrin në rrethe të tjera përveç Tiranës. Dokumentacioni i bazuar te lejet e autobusëve dhe biletat e prera të udhëtarëve nga shoqëritë përkatëse tregonin dukshëm se gati gjysma e tyre kishin hipur në stacione të tjera përveç atij qendror të kryeqytetit shqiptar. Kaq ka mjaftuar që të dhjetë autobusët me mbi 280 pasagjerë gjithsej, të qëndrojnë të bllokuar për gati tri orë në doganën greke të Kakavijës, në pritje të marrjes së një vendimi nga autoritetet helene doganore. Të ndodhur në këto kushte, disa prej pasagjerëve kanë udhëtuar drejt Greqisë me mjete të tjera të transportit, duke braktisur autobusët që i kishin sjellë deri në kufirin mes dy shteteve. Ndërsa pas negocimit me palën shqiptare të doganës së Kakavijës, është bërë e mundur që të zhbllokohet situata. Gjobë totale për të 10 autobusët në masën e 5600 eurove si dhe në rast ripërsëritje sekuestrim të lejes së operimit dhe të autobusëve, kanë qenë masat që janë ndërmarrë nga ana e doganierëve grekë të Kakavijës. Në bazë të urdhëresës së Ministrisë së Transporteve të Greqisë të dalë qysh në gusht të 2012-s, autobusët e linjave Shqipëri-Greqi dhe anasjelltas duhet të kenë pikën e nisjes nga Tirana dhe Athina, dhe jo nga rrethet e tjera të Shqipërisë, pikërisht sepse është linjë direkte e transportit të udhëtarëve, dhe jo turistike, siç veprohej para gushtit të 2012-s. Madje në këtë urdhëresë pranohet se operatorët e transportit të udhëtarëve nga rrethet e tjera të Shqipërisë, përveç Tiranës, janë të lirë të sjellin pasagjerë deri në Kakavijë, dhe jo kalimin për në Greqi dhe mandej këta pasagjerë të transportohen nga mjetet e transportit grek. Në çdo rast verifikohet bileta e prerë nga pasagjerët si dhe lista që mbajnë drejtuesit e autobusit. Ata akuzohen për shkelje të licencës, çka ka bërë që të kryhet gjobitja e tyre. Vitin e shkuar u ndaluan në kufi autobusët që vinin nga rrethet e tjera, duke krijuar kaos me pasagjerët, ndërsa dje pala greke pengoi dhe mjetet që kishin marrë udhëtarë në rrethet e ndryshme të vendit.

GJIROKASTER/ PIRO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura