Gjirokastër, s’ka guida, bie numri i turistëve nëpër muze

Jul 21, 2011 | 10:43
SHPËRNDAJE

Mungesa e një udhëheqjeje të mirëfilltë nga ana e Agjencive Turistike, por edhe nga Zyra e Koordinimit të Qytetit Muze në Gjirokastër, kanë bërë që numri i turistëve që vizitojnë Muzeun Etnografik, që shprehin interes për të parë ish-banesën ku u lind e u rrit ish-diktatori shqiptar Enver Hoxha, të rezultojë në shifra të ulëta. Sipas përgjegjëses së këtij muzeu, Dëshira Tena, mungesa e një programi nga ana e Agjencive Turistike, po bën që Muzeu Etnografik të mos vizitohet nga shumica e turistëve që zgjedhin të shohin qytetin e gurtë në këto ditë të nxehta. Një faktor tjetër është edhe mungesa e një tabele orientuese për vizitorët që nuk e dinë se ku ndodhet objekti, i cili ka pësuar ndryshime të prekshme falë përkujdesjes që ka treguar Bashkia e Gjirokastrës. Përgjegjësja Tena shprehet për gazetën “Panorama” se ky është një tjetër ndër problemet që po konstatohet në këtë periudhë. Muzeu Etnografik ndodhet në lagjen “Palorto”. Pamja që të ofron godina, ka pësuar ndryshime të dukshme qysh prej rehabilitimit të fundit të kryer në vitin 1966, pas një zjarri të rënë. Ajo u rindërtua si një model tradicional i shtëpive gjirokastrite, me shumë përbërës kulturorë tradicionalë klasikë, që u huazuan nga banesa të ndryshme në qytet. Nga viti 1966 deri më 1991, ndërtesa shërbeu si Muze Antifashist NÇL, ndërsa në qershor të atij viti u sollën eksponatet e muzeut të atëhershëm etnografik. Ndërtesa ka katër kate, të cilat janë që të gjitha të hapura për publikun.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura