Gjika u përgjysmon rrogat lojtarëve

May 31, 2011 | 13:06
SHPËRNDAJE

Kreu i Bashkisë së Vlorës dhe njëkohësisht presidenti i Flamurtarit, Shpëtim Gjika, ka konfirmuar dje zyrtarisht në krye të pankinës sërish trajnerin, Gugash Magani. Pas rikonfirmimit të teknikut, numri një i presidencës ka theksuar edhe njëherë se për lojtarët nuk do të ketë kontrata më të shtrenjta se ato të sezonit që sapo u mbyll. Kjo është pohuar edhe nga vetë trajneri i kuqezinjve, Magani, i cili e ka cilësuar si të drejtë vendimin e drejtuesve të klubit, sa i përket uljes së kontratave vjetore. “Jam shumë i kënaqur që presidenti Gjika, ma besoi edhe njëherë tjetër drejtimin e Flamurtarit. Unë nuk isha larguar për asnjë moment nga kjo skuadër dhe do të vazhdoj të punoj akoma më shumë për të marrë rezultate edhe më të mira. Sot jam njohur ndërkaq, edhe me vendimin e drejtuesve të klubit dhe jam plotësisht dakord për përgjysmimin e kontratave, pasi në këtë mënyrë do të ulen edhe shumë shpenzime të kota. Natyrisht, çdo lojtar që do të kërkojë rrogë të lartë, do ta ketë atë, vetëm se më parë duhet të përmbushë disa kritere; sa ka qenë aktivizimi i tij në sezonin që sapo u mbyll (këtu nuk e kam fjalën për minutat sa ka luajtur, por sa ka kontribuar për ekipin). Një kusht tjetër është edhe përkushtimi në stërvitje, ndeshjet e kampionatit në sezonin e ri. Dhe nëse përmbushen të gjitha këto, atëherë çdo futbollisti me të drejtë do t’i rritet rroga”. Më tej, trajneri i ekipit vlonjat ka saktësuar se do të merret vetëm me anën teknike, atë të përzgjedhjes së lojtarëve, ndërsa kontratat janë kompetencë e shefit të klubit Çipi dhe presidentit Gjika.

Pagat, lojtarët padi Flamurtarit?

Lojtarët që mbyllën sezonin me Flamurtarin kanë konfirmuar dje, se me gjithë premtimet e bëra nga ana e krerëve vlonjatë për likuidimin e plotë të rrogave dhe kontratave, ende nuk kanë marrë asgjë. Kuqezinjtë janë në pritje të reagimit të krerëve rreth gjetjes së rrugëve për shlyerjen e këtij borxhi. Në të kundërt, ata, edhe njëherë kanë paralajmëruar se në rast se ky problem nuk merr rrugëzgjidhje sa më shpejt, do ta ndjekin në rrugë gjyqësore. Ndërkaq, vetë drejtuesit e klubit janë shprehur se rrogat e prapambetura do të shpërndahen, duke filluar nga sot.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura