Gjendet i vrarë 52-vjeçari, dyshohet sulm për grabitje

Feb 28, 2014 | 12:24
SHPËRNDAJE

Viktima Lutfi Peti, Vendi ku ndodhi ngjarja
Viktima Lutfi Peti u gjet pranë Liqenit të Thatë, ku ruante bagëtitë

Një 52-vjeçar u gjet i vrarë mëngjesin e djeshëm, në afërsi të kasolles ku mbante bagëtitë, pranë Liqenit të Thatë në Tiranë.  Viktima është Lutfi Peti, baba i dy fëmijëve, i cili rreth orës 07:30 është gjetur pa jetë dhe i gjakosur. Gruaja e tij ka lajmëruar menjëherë policinë sapo është përballur me kufomën e të shoqit. Në vendngjarje shkuan shërbimet e Komisariatit Nr. 1 dhe të Krimeve të Rënda, që kanë konstatuar menjëherë se bëhej fjalë për vrasje me mjete të mprehta. Burimet thanë se nuk është përcaktuar saktësisht ora e vrasjes, por dyshohet të ketë ndodhur pas mesnate, duke gdhirë dita e djeshme. Peti u gjet i vrarë pranë kasolles që kishte ndërtuar për të mbajtur rreth 200 krerë bagëti, të cilat i kishte për shitje. Po ashtu kishte në pronësi edhe një fidanishte vetëm pak metra larg vendit të ngjarjes. Sipas dëshmive të familjarëve të tij, viktima kishte punësuar një bari që të kujdesej për bagëtitë, por paraditen e të mërkurës punëtori kishte kërkuar leje, duke i thënë se nuk mund të rrinte gjatë natës pasi kishte një problem familjar. Për këtë arsye, Peti ka qëndruar vetë në kasolle që të ruante bagëtitë. Sipas familjarëve, ai ka dalë nga shtëpia, që ndodhet në zonën e Saukut të Vjetër rreth orës 19:00, dhe ka shkuar te Liqeni i Thatë, ku u gjet i vrarë mëngjesin e djeshëm.
HETIMET
Grupi hetimor ka marrë dëshmitë e para pas gjetjes së 52-vjeçarit të vrarë në Tiranë. Burimet thanë se është pyetur e shoqja dhe dy fëmijët, të cilët kanë sqaruar se Lutfi Peti nuk kishte probleme dhe nuk ishte kërcënuar nga askush. Më pas ata kanë treguar itinerarin e lëvizjeve të tij gjatë ditës së mërkurë e deri dje në mëngjes, kur e shoqja ka shkuar vetë te vendi i ngjarjes, pasi ishte shqetësuar se bashkëshorti nuk po i përgjigjej në telefon. Fillimisht policia dyshoi për ndonjë krim për shkak pronësie, pasi Peti kishte në pronësi një truall, të cilin ia kishte dhënë një firme ndërtimi për të ngritur një pallat. Por nga provat e gjetura në vendin e ngjarjes dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur gjatë ndonjë tentative të mundshme për ta grabitur. Burimet thanë se nisur nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe gjetja e kufomës jashtë kasolles ku flinte zakonisht roja, të bëjnë të dyshosh se 52-vjeçari mund të ketë dëgjuar ndonjë zhurmë dhe ka dalë jashtë.

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura