Gjata: Përsëritja e zgjedhjeve, vetëm nëse dalin pavlefshmëri

May 31, 2011 | 11:11
SHPËRNDAJE

Ish-kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata, tha dje se përsëritja e zgjedhjeve në Tiranë është e pamundur në një kohë kur nuk ka pavlefshmëri. Sipas tij, kjo është e sanksionuar në Kodin Zgjedhor dhe nuk mund të ketë përsëritje edhe nëse palët nuk mund të jenë dakord. “Për çështjet e rinumërimit duhet t’i drejtohen KQZ-së para se të shkojnë në Kolegj, sepse KQZ ka vepruar si KZAZ. Akoma nuk është inspiruar si KQZ. E dyta, përsa i takon përsëritjes së zgjedhjeve në një njësi apo diku tjetër, duhet parë ligji. Përsëritja nuk vendoset si negociatë, mblidhen dy palë e gjejnë një rrugë të mesme, sepse do të ishte kundër ligjit. Duhet të heqim dorë nga zgjidhjet politike në dëm të ligjit. Përsërisja bëhet kur kërkohet pavlefshmëria. Dhe kjo përcaktohet në ligj. Por, duhet të shohim ditën e zgjedhjeve për të kërkuar pavlefshmërinë. Dhe çfarë ndodhi atë ditë? Asgjë. Dita e zgjedhjeve ka qenë një nga më të mirat”, tha Gjata për “albanianscrean”. Në lidhje me debatin për përdorimin e Komisionit të Venecias, Gjata tha se mund të vihet në lëvizje vetëm nga Gjykata Kushtetuese. “Është një çështje jo e nivelit që mund të shkojë në Komisionin e Venecias. Për mendimin tim, është Gjykata Kushtetuese ajo që i drejtohet këtij institucioni për çështje të parimeve kushtetuese, për përplasje të ngjarjeve me parime kushtetuese, për rregullime kushtetuese. Është organ këshillimor, nuk është krijuar të zgjidhë problemet tona. Pra, jo për çdo çështje në gjykatë, gjyqtari duhet t’i drejtohet Komisionit. Është një çështje kolegji. Për çështjen se a duhet të numërohen fletët në kutinë e gabuar, jam i sigurt që ata do të shohin të habitur e do të thonë që nuk e dinë se si bëhet kjo punë”, u shpreh Gjata.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura