Gjasula, si mesfushor i majtë

May 31, 2013 | 12:35
SHPËRNDAJE

Kombëtarja e drejtuar nga Xhani de Biazi po zhvillon nga dy seanca stërvitore në ditë, paradite dhe pasdite. Në seancën e paradites, e cila nisi dje rreth orës 10:00, grupi iu nënshtrua disa ushtrimeve të përgatitura nga përgatitësi atletik Alberto Bele, ndërsa nuk ka munguar edhe vënia në zbatim e skemave taktike që italiani De Biazi ka menduar se ishin të nevojshme. Kryefjala edhe për ditën e djeshme ka qenë ndërtimi i një mbrojtjeje solide. Sërish tekniku ka testuar dyshen Mavraj-Osmani, e cila duket se e kanë bindur italianin me performancën e tyre dhe me shumë gjasa në krah të mbrojtësit të Grojther Furthit do të jetë lojtari i Teutës. Gjithsesi, deri në përfundim të përgatitjeve mund të ketë edhe ndryshime, ndërsa nuk është çudi që edhe mbrojtësi Ansi Agolli të spostohet si mesfushor i majtë. Pikërisht një rëndësi të veçantë italiani i ka dhënë rreshtimit të skuadrës, ku në harkun e pak minutave ka bërë disa manovra. Mirëpo, De Biazi nuk ka humbur kohë dhe në rolin e mesfushorit të majtë ka provuar Jurgen Gjasulën për të dytën herë radhazi. Nga ana tjetër, si një mesfushor i avancuar ka qenë edhe Vajushi. Ndërsa sulmi, nga ajo që u pa në stërvitjen e djeshme, ka shumë mundësi që ndaj Norvegjisë mund të luhet me një sulmues të vetëm, ndërsa në garë për këtë vend janë disa lojtarë: Çani, Salihi, Bogdani e Llullaku. Dhe nëse ndodh kështu, që mund të luajmë me një sulmues, Gjasula do të jetë alternativa tjetër për ta përforcuar më shumë këtë repart. Ndarja që italiani i ka bërë grupit ditën e djeshme ka qenë me Ujkanin në portë, Dallkun në të djathtë, Mavrajn e Osmanin në qendër, Agollin në të majtë, Vajushin në të djathtë, Bashën dhe Bulkun në qendër, Gjasulën në të majtë, si dhe Çanin të deklaruar në sulm, por gjithsesi në repartin e avancuar kanë luajtur edhe Bogdani me Llullakun.

“Bum” kërkesash për bileta në FSHF
Federata Shqiptare e Futbollit, duke parë interesin e madh të tifozëve për ndeshjen Shqipëri–Norvegji, ka vendosur që biletat për këtë sfidë të dalin në treg jo para datës 4 qershor. Shef i zyrës së marketingut, Gazmend Malo, ka sqaruar se ky vendim synon të mos u japë kohë spekulatorëve për të nxjerrë në shitje biletat në tregun e zi me një çmim shumë më të kripur se ai që kanë realisht. FSHF, sipas Malos, po ndjek një praktikë të tillë duke u dhënë përparësi institucioneve që i prenotojnë biletat në mënyrë të organizuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura