Gërvishten makinat, plumb shoferit të borëpastrueses

Feb 29, 2012 | 11:30
SHPËRNDAJE

POGRADEC – Konflikti mes dy personave ka precipituar në një përplasje të dhunshme, deri në plagosjen me armë të njërit prej personave. Ngjarja është regjistruar në fshatin Velçan të rrethit të Pogradecit dhe, për pasojë, ka mbetur i plagosur punëtori i mirëmbajtjes së rrugës, Florian Hyka. Sipas të dhënave të Policisë, 52-vjeçari është konfliktuar me autorin e ngjarjes, Dritan Lushka, për shkak të një përplasjeje automjetesh. Burime nga Policia bënë me dije se konflikti mes dy personave kishte nisur dy muaj më parë, pas goditjes së automjetit që kishte ndodhur nga ana e të lënduarit. Florian Hyka teksa ka qenë duke punuar për pastrimin e rrugës nga bora me mjetin e tij borëpastrues, ka përplasur automjetin e shtetasit Dritan Lushka, gjë e cila ka shkaktuar nisjen e një konflikti. Pasditen e së martës, dy personat janë ritakuar dhe 35-vjeçari i ka kërkuar Hykës dëmshpërblimin për riparimin e mjetit, por kjo i ka çuar në një grindje. Në debat e sipër, autori ka qëlluar në drejtim të punonjësit të rrugës, duke e plagosur këtë të fundit në shpinë. Për shkak të rrugës, e cila ka qenë e pahapur, është dashur edhe transportimi i të lënduarit me mjetin borëpastrues deri në rrugën nacionale. Dhe më tej, ai është çuar me autoambulancë deri në spitalin rajonal të Pogradecit, ku pas marrjes së ndihmës mjekësore, i ka shpëtuar rrezikut për jetën.                                   dh.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura