Geddafi në shesh: Luftë deri në vdekje

Feb 26, 2011 | 11:33
SHPËRNDAJE

Lideri libian, Muammar Geddafi, ka dalë në Sheshin e Gjelbër në Tripoli për të mbajtur një fjalim para mbështetësve të tij. “Do të luftojmë deri në vdekje për Libinë”, tha ai përpara 8 mijë personave që brohorisnin “Zoti, Geddafi dhe Libia”. Policia vazhdon të qëllojë kundër protestuesve në zona të ndryshme të kryeqytetit, por edhe në qytetet e tjera libiane. Koloneli i ka quajtur gazetarët e huaj gënjeshtarë dhe qen. “Shiko Europë, shiko Amerikë, ky është populli libian, ky është fruti i revolucionit. Ne do të luftojmë për tokën e Libisë”, tha ai. Dje rreth 7 apo 8 mijë persona kanë dalë në sheshin e gjelbër për të mbështetur Geddafi-n. “Do të hapim të gjithë depozitat dhe do të armatosim popullin”, tha Geddafi. “Ky është xhihad i heronjve. Do t’i vrasim ata që protestojnë”, tha lideri libian përpara turmës mbështetëse të tij në Sheshin e Gjelbër. Geddafi u ka dërguar mesazhe në celular popullit, me tekstin se çdo protestë kundër tij është e ndaluar me ligj. Mesazhi është tregues i synimit të Geddafi-t për t’u kundërpërgjigjur më ashpër kundër protestuesve. Seif Al-Islam, një prej djemve të Muammar Gheddafit, tha dje në një intervistë për CNN turk, se familja e tij do të qëndrojë me çdo kusht në Libi dhe ka paralajmëruar se nuk do t’i lejojë “një grushti terroristësh” të kontrollojë një pjesë të vendit. Shtypi i Zimbabves ka shkruar se Presidenti Robert Mugabe ka dërguar luftëtarë për të ndihmuar kolonelin Gheddafi. Ai i ka ofruar liderit libian edhe azil në vendin e tij. Ndërkohë, dëshmitarë tregojnë se ushtarët e Geddafi-t po zhdukin kufomat që vrasin. Ka raportime se mes mercenarëve ka edhe 15-vjeçarë. Ambasadorët libianë në Gjermani, Francë, Itali dhe OKB po mbështesin protestuesit. Ndërkohë, qeveria britanike ka identifikuar “thesarin” e Muammar Geddafi-t, miliarda sterlina të depozituara në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas “Daily Telegraph”, fondet duhet të sekuestrohen së shpejti. Asetet e kolonelit në Britani janë miliarda dollarë në llogari bankare, prona komerciale dhe një shtëpi 10 milionë sterlinash. Sipas “Telegraph”, regjimi libian ka në Mbretërinë e Bashkuar 20 miliardë sterlina, shumica në Londër. Përpara sekuestrimit, Britania po përpiqet që të evakuojë të gjithë shtetasit e saj nga Libia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura