Gedafi rimerr qytetet e naftës

Mar 31, 2011 | 13:18
SHPËRNDAJE

Avionët luftarakë dhe raketat e koalicionit ndërkombëtar po godasin forcat e Muamar Gedafit me qëllimin për të mbrojtur civilët, por shumë analistë shprehen se forcat e koalicionit tani janë bërë forcat ajrore të rebelëve.Ky ishte bombardimi i parë ajror në dy ditë, ndërsa koalicioni i kishte ndërprerë bombardimet të martën, në pritje të vendimit të Konferencës Ndërkombëtare në Londër për Libinë. Pushimi i sulmit nga lart u solli përparësi forcave të Gedafit. Tashmë forcat e koalicionit po koordinohen në lëvizjet e rebelëve dhe po u hapin rrugën atyre që të hyjnë në qytete që deri në atë moment i përkisnin besnikëve të Gedafit. Por koloneli nuk është një kundërshtar i thjeshtë. Me betimin se do të vdesë si martir për vendin e tij, Gedafi ka bindur edhe mijëra ushtarakët e tij të bëjnë të njëjtën gjë. Forcat besnike të Muamar Gedafit kanë ripushtuar dje tri qytete në Lindje të Libisë. Besnikët e Gedafit, të mbështetur nga tanket dhe artileria, kanë arritur në lagjet e qytetit Ajdabiya, 160 km në lindje të Benghazit, pasi i ripushtuan qytetet Ras Lanuf, Ukailla dhe Brega. Ministri i Jashtëm i Libisë, Musa Kusa, ka mbërritur mbrëmë në Britani dhe ka njoftuar se do të japë dorëheqjen nga posti. Lajmi u konfirmua nga ministria e Jashtme britanike, e cila sqaroi se Kusa ishte larguar me vullnetin e tij të lirë nga Tunizia. Një zëdhënës i Qeverisë libiane tha se Musa ndodhej në Britani thjesht për një vizitë diplomatike. Ndërkohë, SHBA dhe Britania thanë se nuk e përjashtojnë mundësinë e armatosjes së kryengritësve. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Moska beson se fuqitë e huaja nuk kanë të drejtë t’u dërgojnë armë kryengritësve në bazë të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit. Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se Uashingtoni nuk e ka përjashtuar mundësinë e armatosjes së rebelëve në Libi. “Nuk e përjashtoj si mundësi, por as po e përfshij si të tillë. Ne ende jemi duke bërë vlerësimet për ato që po bëjnë forcat e Gedafit”, tha Obama për televizionin “NBC”. Presidenti amerikan shprehu bindjen se “Gedafi, në fund të fundit, do të tërhiqet nga pushteti nën presionin ndërkombëtar”. Edhe kryeministri britanik, Devid Kameron, tha se qeveria e tij nuk e përjashton mundësinë e armatosjes së kryengritësve libianë. “Embargoja e armëve zbatohet në tërë territorin e Libisë. Por, në të njëjtën kohë, Rezoluta 1973 e Këshillit të Sigurimit lejon të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur civilët dhe zonat e populluara me civilë. Nga pikëpamja jonë, kjo nuk e përjashton domosdoshmërisht dhënien e asistencës atyre që mbrojnë civilët në rrethana të caktuara. Pra, siç e kam thënë edhe më herët, ne nuk e përjashtojmë si mundësi, por nuk kemi marrë vendim për të bërë një gjë të tillë”, tha Kameron para deputetëve në Londër.

Presidenti fajëson komplotistët

Në një fjalim përpara popullit, Presidenti i Sirisë, Bashar al Asad, ka fajësuar “komplotistët” për valën e protestave antiqeveritare, të cilët, sipas tij, po përpiqen të shkatërrojnë vendin. Asad tha se forcave të sigurisë u janë dhënë udhëzime të qarta, për të mos lënduar qytetarët gjatë protestave. Deklarata e tij vjen pas vrasjes së më shumë se 60 protestuesve gjatë 11 ditëve të protestës. Fjalimi i kreut sirian, përveç një sinjali për heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, të vendosur 48 vjet më parë, nuk ka dhënë ndonjë njoftim konkret (siç pritej ai për heqjen dorë nga pushteti). Fjalimi i Al Asadit erdhi pas thirrjeve të Uashingtonit për të bërë më shumë në realizimin e reformave politike. Një ditë më parë, Asad ka pranuar dorëheqjen e kryeministrit Muhamed Naji Otri, bashkë me kabinetin e tij.

5 diplomate
libianë janë përzënë nga Britania, përfshirë edhe atasheun ushtarak të vendit, pasi kanë kërcënuar grupet e opozitës libiane në Londër, sipas ministrit të Jashtëm britanik, Uilliam Hague

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura