Gea Sport “bën lëmsh” Vllazninë

Jul 31, 2014 | 12:54
SHPËRNDAJE

Ardian Grabova, administratori që priste vetëm zyrtarizimin në këtë post në krye të klubit Vllaznia, ka deklaruar dje largimin e tij nga Shkodra. Nisur nga sa është shprehur ai, edhe kompania zvicerane “Gea Sport” rrezikon të tërhiqet nga drejtimi i klubit. Grabova ka theksuar se i ka dhënë vetëm 24 orë afat Bashkisë që të reflektojë mbi situatën e krijuar, pasi në të kundërt jo vetëm që dorëheqja e tij do jetë përfundimtare, por edhe kompania zvicerane nuk do të vijojë punën e saj në Shkodër. Shkak mësohet se janë bërë konfliktet e dy ditëve të fundit, ku sipas Grabovës ndaj tij dhe kompanisë “Gea Sport” është ushtruar presion si nga brenda klubit e po ashtu edhe nga Bashkia. “Gjasat janë që të tërhiqem menjëherë. Ka shumë përplasje midis stafit në klub. Nuk kam marrë pjesë në asnjë ndërhyrje, në asnjë përzgjedhje, por nuk mund të vijohet më me idenë: jo jemi ne, jo jeni ju. Në këtë pikë unë tërhiqem, por mendoj se edhe kompania ka për t’u tërhequr. Ne nuk i nënshtrohemi dhunës së askujt, ndaj i kemi dhënë vetëm 24 orë afat bashkisë që të reflektojë. Unë kam folur sot (dje) edhe me presidentin Nava dhe ju bëj me dije se edhe ai i qëndron idesë se, në rast se nga Bashkia nuk do të ketë një reflektim në lidhje me situatën e krijuar, jo vetëm unë si administrator, por edhe kompania do tërhiqet nga financimi i klubit”, ka thënë Grabova.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura