Gazetari i RAI-t, libër për dënimin e Beqir Ballukut

Jun 30, 2014 | 12:59
SHPËRNDAJE

Gazetari italian Antonio Caiazza
“La notte dei vinti”, romani shqiptar i Antonio Caiazza

Si u ekzekutuan krerët e lartë të mbrojtjes gjatë festës së kooperativës në Vranisht

Ndërsa në fshatin Vranisht fshatarët gëzonin se kooperativa e tyre do të ngrihej në një rang më të lartë në shkallë vendi, diku, nëpër natë hapej një gropë.
Një varr i përgatitur për tre njerëzit më të lartë të mbrojtjes shqiptare: Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako. Gati 40 vjet nga kjo ngjarje, gazetari italian i RAI-t, Antonio Caiazza, i rikthehet kësaj historie përmes një romani me baza historike, të titulluar “La notte dei vinti”, botim i shtëpisë botuese “Nutrimenti” në Itali. Qysh në ditët e para të daljes së tij, libri nuk ka kaluar pa u vënë re. Mediat italiane i kanë kushtuar vëmendje një libri që hedh sytë përtej Adriatikut, në historinë e viteve të diktaturës komuniste, kur kjo e fundit hante bijtë e vet. Romani i gazetarit e shkrimtarit italian Antonio Caiazza vjen për publikun pas disa vitesh nga botimi i librit të tij të parë “In alto mare- Viaggio nell’Albania. Dal comunismo al futuro”, ku ai merr në shqyrtim 15 vitet e tranzicionit shqiptar, bisedon me njerëz të politikës, por edhe shkrimtarë. Nga Ramiz Alia te Dritëro Agolli. Por libri më i ri i Caiazzas është një kthim pas në kohë, atëherë, kur sipas tij, ca skenarë ishin të rrezikshëm edhe vetëm të mendoheshin.
Libri

Enver Hoxha, Beqir Balluku dhe Petrit Dume
Romani ngrihet mbi procesin e dënimit dhe ekzekutimit të ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku, një histori e vërtetë, e mbështetur mbi dokumente arkivore dhe dëshmi të atyre që e kanë jetuar atë kohë. Është akuza, procesi dhe dënimi me pushkatim i një ministri që e kishte dashur Enver Hoxhën dhe që tashmë akuzohej për tradhti. Dhe i kujtohet buzëqeshja e Hoxhës në paradën e çlirimit të Tiranës, që autori e quan “buzëqeshja malenkonike e pushtetit”. Përmes një stili të “tensionuar”, Caiazza tregon fatin tragjik të një njeriu e përmes tij edhe gjithë përditshmërinë dhe gjendjen mbytëse në Shqipëri. Në “Notte dei vinti”, Caiazza rikthen në vëmendjen e opinionit publik egërsinë e një bote të dominuar nga dogma, pandjeshmërinë e atyre që kishin në dorë pushtetin e jetës dhe vdekjes. Atje ku ideologjia ishte transformuar në një kafaz të ngushtë.
Subjekti
Ishte viti 1975, Albania ishte një gropë e zezë për këdo që jetonte në Europë. Asgjë nuk dihej mbi atë që ndodhte në Tiranë dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë. Pikërisht në atë periudhë, në shënjestrën gjithnjë vigjilente të partisë-shtet u vendos ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku. Pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, balluku besonte verbërisht në rrugën që Shqipëria duhet të ndiqte, atë të komunizmit dhe as që e kishte ëndërruar ndonjëherë që të vinte në diskutim karizmin e Enver Hoxhës. E megjithatë papritur u gjet në bankën e të akuzuarve. Udhëheqja e lartë e akuzonte se kishte devijuar nga fjala e liderit në fushën e mbrojtjes ushtarake. Në praktikë, ai kishte guxuar që të mbështeste idenë, që në rast sulmi armik, mbrojtja më efikase do të kishte qenë ajo e eksperimentuar gjatë luftës partizane. Tërheqja në zonat malore të vendit, duke i gënjyer pushtuesit se kishin fushë të lirë dhe më pas të goditeshin në mënyrë të befasishme.
Nga procesi gjyqësor për Beqir Ballukun, Petrit Dumen e Hito Çakon
Por, Balluku nuk u gjet i vetëm përballë zemërimit të Enver Hoxhës dhe Partisë. Bashkë me të u akuzuan komisari politik i Ushtrisë dhe shefi i Shtabit. E pranuan fajin, u deklaruan të penduar. Por nuk mjaftonte ende. Duheshin pushkatuar. Dhe të zhdukeshin, ndërsa në Vranisht, në një fshat të vogël të humbur mes maleve, autoritetet e Tiranës organizonin një festë të madhe për kooperativën bujqësore të zonës.

Autori
Antonio Caiazza, gazetari i redaksisë së RAI-t në Friuli Venezia Giulia, i datëlindjes 1964, është një njohës i mirë i Ballkanit në përgjithësi dhe në veçanti i Shqipërisë. Burim i kësaj njohjeje janë edhe dy librat e tij “In alto mare- Viaggio nell’Albania. Dal comunismo al futuro” (2008) dhe “La notte dei vinti” (335 faqe, çmimi 18 euro). Ka ardhur shpesh në Shqipëri, ku edhe ka mbuluar ngjarje të ndryshme, por edhe ka takuar njerëz, politikanë, artistë, shkrimtarë, që i kanë shërbyer për librat e tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura