Gafa me gjashtë të huaj, Disiplina dënon Bylisin

Feb 28, 2013 | 13:21
SHPËRNDAJE

Bylisi ndëshkohet nga Komisioni i Disiplinës për gafën në ndeshjen ndaj Skënderbeut, mbrëmjen e së dielës në Korçë, me humbje të takimit, -3 pikë në renditje dhe gjobë. Stafi teknik i ballshiotëve gaboi duke aktivizuar nga minuta e 64-t deri në të 68-n  gjashtë futbollistë të huaj në fushë, në kundërshtim me rregulloren e Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila lejon aktivizimin e jo më shumë se pesë lojtarëve të huaj. Pikërisht për këtë gafë, Bylisi është dënuar dje nga Komisioni i Disiplinës me humbje të ndeshjes 3-0 në tavolinë (kujtojmë se takimi në Korçë përfundoi në barazim 2-2), me zbritje të tri pikëve nga renditja që ka aktualisht në Superiore dhe një gjobë prej 6 milionë lekësh (të vjetër). Kështu, në harkun e vetëm pak ditëve, klubi ballshiot është dërrmuar nga vendimet e FSHF-së, pasi javën e shkuar ishte Komisioni i Etikës, i cili i vendosi një gjobë prej 15 milionë lekësh për mosimpenjimin, ose më mirë lëshimin me dashje të ndeshjes në minutat e fundit në Flamurtari-Bylisi (u shënuan 2 gola në harkun e tri minutave me lojtarët e Bylisit që vetëm ecnin në fushë). Mirëpo, nëse vendimin e djeshëm të Disiplinës klubi ka mundësi që ta apelojë në Komisionin e Apelit, për atë të Etikës i duhet sipas rregullores që t’i drejtohet Gjykatës së Lozanës, në Zvicër. Gjithsesi, edhe pse nuk është konfirmuar nga vetë drejtuesit (presidenti Besnik Kapllanaj), parashikohet që KF Bylisi do ta apelojë vendimin e Disiplinës. Referuar nenit 116 të KDS-së, ballshiotët kanë të drejtën e apelimit, duke kërkuar edhe deri në anulimin ose ndryshimin e vendimit përkatës. Afati i apelimit është vetëm tri ditë, nga momenti i marrjes së njoftimit për vendimin përkatës dhe arsyet e apelimit duhet të paraqiten me shkrim brenda 7 ditëve nga skadimi i afatit prej 3 ditësh, të kërkesës për apelim. Apeluesi, në këtë rast KF Bylisi, mund të kundërshtojë mbi pasaktësinë e vlerësimit të fakteve, ose zbatimin e gabuar të ligjit ose rregulloreve. Para se të paraqesin apelimin, drejtuesit e Bylisit duhet të paguajnë një tarifë në llogarinë bankare të FSHF-së përpara skadimit të afatit prej 7 ditësh, që përkon me shumën e 100 mijë lekëve (të rinj). Sipas nenit 120 të KDS-së, shuma e mësipërme do të rimbursohet nëse apeluesi e fiton çështjen përkatëse.

Bylisi, s’komentohet vendimi
Askush nga zyrtarët e KF Bylisi nuk ka pranuar që të prononcohet për vendimin e dhënë dje nga Komisioni i Disiplinës. Edhe pse gazeta është përpjekur të marrë një reagim zyrtar, as presidenti dhe as zyrtarët e tjerë të këtij klubi nuk kanë qenë të disponueshëm. Kujtojmë se vetëm dy ditë më parë, tifozët ballshiotë i patën kërkuar presidentit të Flamurtarit, Shpëtim Gjika, të tërhiqte akuzat, ashtu siç i kërkuan edhe presidencës korçare që rezultati i fushës të mos ndryshojë.

“U respektua rregullorja”
Drejtuesit e Skënderbeut e kanë komentuar në mënyrën e tyre vendimin e Komisionit të Disiplinës. “Ta qartësojmë një herë e mirë që ne si Skënderbe nuk kemi pasur dhe nuk kemi asgjë kundër Bylisit. Kërkuam vetëm zbatim të rregullores, me qëllim që të mos kemi precedentë të tjerë në të ardhmen, të cilët mund të kushtojnë edhe më shumë në garën për kampionatin. Në këtë këndvështrim e respektojmë vendimin, por nuk mund të themi se u gëzuam apo u hidhëruam”, – tha Përmeti.

Hasanbelliu: Neni i pasaktë
Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, ka theksuar se rregullorja nuk është edhe aq e saktë kur bëhet fjalë për lojtarët e huaj. “Ne jemi pro rregullores, por për rastin në fjalë jam skeptik, sepse nuk ka një rregullore të saktë për të përcaktuar se çfarë mase duhej marrë për ndeshjen. Gjithsesi, këtë e vendos komisioni, dhe nëse ata e kanë gjykuar se i duheshin dhënë tri pikët Skënderbeut në tavolinë, ashtu le të bëhet”, tha Hasanbelliu.

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura