Gafa me Andi Lilën, ja si e humbet derbin

Mar 31, 2011 | 12:53
SHPËRNDAJE

Shtohen dilemat për aktivizimin e Andi Lilës në derbin me Dinamon. Lojtari vazhdon përgatitjet me ekipin, mirëpo është ende i paqartë nëse do të luajë apo jo.Madje kaos ka edhe brenda drejtuesve të klubit, pasi ata ndonëse janë njoftuar zyrtarisht nga Federata Shqiptare e Futbollit se lojtari ka plotësuar numrin e kartonëve, kanë dyshimet e veta. Nga arkivi i gazetës, rezulton se kapiteni nuk është ndëshkuar në ndeshjen e fundit me Shkumbinin. Pra, nuk e ka plotësuar numrin 12 të kartonëve të verdhë, por ka vetëm 10 të tillë gjatë gjithë këtij sezoni futbollistik. Në fakt, vetë klubi duhet të ishte më i qartë për këtë çështje, sepse siç duhet të ndodhë normalisht, një person i posaçëm duhet të merret me shënimin e kartonëve në çdo ndeshje. Klubi nuk duhet të presë nga federata, por duhet të ketë llogaritë e veta pas çdo takimi. Në këtë rast, të gjithëve te Tirana u rezulton që në derbi duhet të bëjnë pa Lilën, mirëpo në rast se kjo është një gafë e federatës, atëherë i bie që ky lojtar të rrezikojë ndeshjen. Edhe nëse gjithçka verifikohet dhe ai përfshihet në momentin e fundit në formacion, ai lojtar psikologjikisht nuk ndihet gati për të luajtur. Edhe shefi Rauf Dimraj, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, ka theksuar se për këtë do të interesohej posaçërisht ditën e sotme. “Unë caktova drejtorin teknik, që të merrej me këtë çështje dhe në federatë na njoftuan se është i pezulluar. Mirëpo, tani kam edhe unë dyshimet e mia, kësisoj duhet të interesohem sot posaçërisht. Ai është një lojtar që i bën shumë punë ekipit, prandaj nëse do jetë në fushë, do ndihemi më mirë”, – ka thënë Dimraj. Ndryshe nga çdo vend i botës, në Shqipëri gjithçka llogaritet mbrapsht. Ndonëse vetë Federata Shqiptare e Futbollit ka pasur mundësi që prej 10 ditësh të nxirrte një njoftim zyrtar për lojtarët e pezulluar për javën e 26-të, nuk e ka bërë këtë. Madje, duhet që çdo drejtues klubi të kontaktojë me federatën, që të marrë njoftimin zyrtar për të pezulluarit, përndryshe nuk kanë si ta marrin vesh. E një gjë e tillë u krijon mjaft shqetësime klubeve, pasi deri në momentin e fundit ata mund ta llogarisin formacionin me një futbollist, që në fund rezulton i ndëshkuar. Mirëpo, në këtë rast nuk është përgjegjëse vetëm FSHF-ja, por edhe klubet, të cilët nuk duhet të presin vetëm nga federata, pasi duhet të bëjnë hesapet e tyre.

Kartonet

Në bazë të verifikimeve të bëra nga gazeta, rezulton se Andi Lila ka marrë 10 kartonë të verdhë gjatë këtij sezoni në kampionat. Por edhe në rast se ai mund të ketë marrë të 11-in në ndeshjen e fundit kundër Shkumbinit, sërish ai nuk mund të konsiderohet si një lojtar i pezulluar, pasi nuk e ka plotësuar numrin 12 të kartonëve për këtë sezon.

Superiore

Java e 26-të

Të premten
Shkumbini-Vllaznia    16:00
Dinamo-Tirana    16:00
Besa-Bylis    16:00
Laçi-Elbasani    16:00

Të shtunën
Teuta-Flamurtari    16:00
Kastrioti-Skënderbeu    16:00

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura