Fyle: Shqipëria do e marrë statusin, kur të plotësojë 12 rekomandimet kyçe

Feb 29, 2012 | 11:03
SHPËRNDAJE
Fule

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, i kërkoi Shqipërisë të plotësojë prioritetet e përcaktuara nga Komisioni Europian. “Shqipëria do të përfitojë statusin e vendit kandidat për në BE vetëm pasi të ketë plotësuar 12 rekomandimet kyçe të përcaktuara nga Komisioni Europian.” Kështu deklaroi eurokomisioneri Stefan Fyle në konferencën e zhvilluar menjëherë pasi ministrat e Jashtëm të BE-së vendosen t’i propozojnë Samitit të liderëve të BE-së, që mblidhet më 1 mars, dhënien e statusit kandidat për Serbinë dhe marrjen në konsideratë nënshkrimin e MSA-së me Kosovën. Fule konfirmoi se nuk ka asnjë ndryshim në kriteret e përcaktuara nga Komisioni Europian për Shqipërinë, duke theksuar edhe një herë fort se vetëm implementimi i këtyre kritereve kyçe mund ta bëjë Shqipërinë të fitojë statusin e vendit kandidat për në BE. “Kur të kemi informacione se Shqipëria i ka përmbushur këto kritere atëherë do t’i raportojmë Këshillit Europian dhe do bëjmë rekomandimet adekuate për hapin e radhës.” I pyetur se cilat janë sfidat që qëndrojnë para Shqipërisë, Fyle tha se në Shqipëri duhet të vazhdojë procesi gjithpërfshirës i nisur që në nëntor të vitit të kaluar, të vazhdojë bashkëpunimi qeveri-opozitë për të gjitha ato çështje që kanë lidhje me axhendën europiane të Shqipërisë. Duke qëndruar te reformat bazë, ajo elektorale dhe legjislative, Fule kërkon që këto të jenë gjithëpërfshirëse ku të marrin pjesë jo vetëm qeveria, por dhe opozita e aktorë të tjerë të rëndësishëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura