Fyle: Po s’u zgjidh ngërçi, do mbeteni mbrapa fqinjëve

Mar 31, 2011 | 13:24
SHPËRNDAJE

“Pa zgjidhur krizën, nuk do të ketë integrim europian për Shqipërinë”. Ky ishte mesazhi që komisioneri për Zgjerimin europian, Shtefan Fyle, i dha dje në Tiranë politikës shqiptare.Pasi zhvilloi takime me kreun e shtetit, Topi, kryeministrin Berisha dhe kreun e opozitës Rama, komisioneri i BE-së dha mesazhin e tij përmes një konference për mediat, por pa lejuar që t’i bëhen pyetje nga gazetarët. Fyle u kërkoi politikanëve shqiptarë të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për zgjidhjen e ngërçit politik. “Duhet të ndërmerret veprim vendimtar në afat të shkurtër për të lehtësuar ngërçin politik. Nëse nuk gjendet zgjidhje, Komisioni nuk do të jetë në gjendje të bëjë një vlerësim pozitiv për Shqipërinë në Raportin tonë të ardhshëm Progresit. Jo vetëm që Shqipëria nuk do të ecë përpara në rrugën drejt BE-së bashkë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, por do të mbetet pas fqinjëve aspirantë për në BE”, u shpreh Fyle. Sipas tij, “tani është koha për të sjellë afrimin drejt BE-së në një vend të spikatur të axhendës politike të Shqipërisë. Rekomandimet e Opinionit dhe në veçanti 12 prioritetet kyçe, japin udhëzime të qarta për ta arritur këtë”. Fyle nënvizoi domosdoshmërinë e zgjidhjes së ngërçit dhe i inkurajoi të dyja palët për të bërë dialog konstruktiv, “të përmirësojnë funksionin e Parlamentit dhe ta çojnë Shqipërinë drejt BE-së”. Sa u përket zgjedhjeve vendore, zoti Fyle e vuri theksin në domosdoshmërinë e një procesi zgjedhor sipas standardeve europiane, të drejtë, të lirë e demokratik, si një e drejtë e shqiptarëve. “Shqipëria nuk mund ta humbë këtë mundësi…. Bashkëpunimi konstruktiv ndërmjet partive për implementimin e praktikave të OSBE-ODIHR-it është çelësi i suksesit dhe mundësi për ta çuar ngërçin drejt fundit. “Udhëheqësit politikë duhet të bisedojnë me njëri-tjetrin dhe t’i vendosin interesat e vendit mbi të gjitha konsideratat e tjera të vetat”, tha Fyle, duke shtuar se BE është i gatshëm të lehtësojë kalimin e këtij hendeku midis qeverisë e opozitës, por sinjalet e qarta për kompromis janë të nevojshme nga të dyja palët, para se të ndërmerret ndonjë veprim”. Komisioneri për Zgjerim la të kuptohet se një klimë e re po nis të zhvillohet në Shqipëri mes palëve. “Në përgjithësi, mendoj se mund të them se me seminarin e sotëm ne shpresojmë të kemi filluar diçka që do të sjellë rezultat, me anë të gjithëpërfshirjes, bashkëpunimit të ngushtë të aktorëve politikë në Shqipëri, në procesin e post-Opinionit dhe në veçanti në 12 prioritetet kyçe. Përfaqësuesit e partive politike nga të dyja palët kanë treguar përkushtimin e tyre për integrimin në BE dhe gatishmërinë e tyre në parim për t’u angazhuar në reforma të vështira përpara. Unë shpresoj shumë që fryma e mirë e këtij seminari mund të transferohet në forume të tjera, duke përfshirë Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh Fyle. Komisioneri i Bashkimit Eurpian tha se përgjegjësia e reformave mbetet te klasa politike shqiptare, ndërsa vetëm do të konsultojë procesin e integrimit të vendit.

Fyle me Topin: Kërkohen zgjedhje të qeta

Presidenti Topi priti dje komisionerin e Bashkimit Europian për Zgjerimin Shtefan Fyle. Duke vlerësuar rolin moderator të presidentit në momente delikate, Fyle kërkoi një klimë sa të konstruktive për zgjedhjet. “Sa më të qeta, të ndershme, objektive dhe ligjore të zhvillohen zgjedhjet lokale në vend, aq më pozitive dhe e dobishme do të jetë e ardhmja për Shqipërinë, pasi në këtë mënyrë Bashkimi Europian do të vlerësojë plotësimin e standardeve integruese të Shqipërisë”, u shpreh komisioneri i BE-së.

Berisha: Zgjedhjet, proces transparent

Në takimin me komisionerin e BE-së, kryeministri Berisha e falënderoi atë për bashkëpunimin proaktiv të tij për të ndihmuar Shqipërinë në realizimin e të gjitha kërkesave të këtij procesi dhe i rikonfirmoi se qeveria shqiptare do të vijojë të mbetet e hapur dhe e vendosur për të bashkëpunuar ngushtësisht me Komisionin Europian. Duke folur për zgjedhjet e 8 majit, kreu i Ekzekutivit shqiptar i rikonfirmoi komisionerit Fyle angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për një proces tërësisht transparent.

Fyle takon kreun e PS, Rama

Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Shtefan Fyle, zhvilloi dje dhe një takim me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Takimi u zhvillua në zyrën e Ramës, në selinë rozë. Ndryshe nga Presidenca dhe zyra e kreut të qeverisë, selia rozë nuk dha asnjë njoftim për mediat rreth këtij takimi. Por, në takimin me gazetarë, komisioneri Fyle shprehu optimizëm rreth takimeve që zhvilloi me liderët e pozitës dhe opozitës, duke u shprehur se ka gjetur frymë mirëkuptimi të përbashkët.

Rama: “E vetmja rrugë”, slogani i fushatës së opozitës në zgjedhje

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, zbuloi dje sloganin e fushatës zgjedhore të opozitës për zgjedhjet e 8 majit. “E vetmja rrugë” do të shoqërojë Partinë Socialiste në fushatën zgjedhore deri më 8 maj, ku do të kërkojë të marrë votat e shqiptarëve. Sloganin e fushatës Rama e bëri dje publik gjatë një takimi që zhvilloi me kandidatët socialistë që do të garojnë për kryetarë bashkish dhe komunash në të gjithë vendin. Gjithashtu, kryesocialisti është shprehur që fushata e socialistëve do të ketë një slogan të përbashkët, si të partisë, ashtu dhe të kandidatit, ndërsa posterat do të jenë dhe ato të unifikuara me mesazhet që PS do t’i japë qytetarëve. Takimi, i cili ishte më tepër njohës dhe prezantim nga afër e kandidatëve me kreun socialist, u zhvillua në ambientet e Akademisë së Arteve, zgjati disa orë dhe nuk ishte i hapur për mediat. Mësohet se në këtë takim Rama ka dhënë udhëzime rreth fushatës zgjedhore. Kreu socialist u kërkoi kandidatëve të kenë kujdes me listat zgjedhore, me grupet e patronazhit, por kryesisht me komisionerët e qendrave të votimit dhe grupet e numërimit. Kryesocialisti i porositi kandidatët që të organizojnë një fushatë zgjedhore, ku si prioritet do të jetë vazhdimi i bashkëpunimit me qytetarët dhe për ata që garojnë për herë të parë, propozimi i projekteve të reja.

 

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura