Fyle: Beteja në rrugë s’është europiane

Sep 30, 2014 | 12:26
SHPËRNDAJE

Rama e Fyle dje në konferencë
Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, i kërkoi opozitës të kthehet në Kuvend dhe qeverisë që t’i plotësojë kushtet e nevojshme që ajo të funksionojë. Gjatë konferencës së përbashkët me Kryeministrin Rama pas takimit të Dialogut të Nivelit të Lartë, Fyle tha se dalja nga Kuvendi nuk është mënyrë europiane e bërjes politikë. “Unë kam dëgjuar, jo për të parën herë dhe jo për të fundit, shqetësimet e opozitës. Dhe në të njëjtën kohë unë e kam bërë të qartë, ashtu siç e kam bërë të qartë edhe përpara pak kohësh, – që të dalësh nga Parlamenti dhe të sillet beteja juaj politike në rrugët e vendit, kjo nuk është mënyra europiane. Kjo nuk e ndihmon vendin që të sjellë Shqipërinë akoma më afër ambicies së shqiptarëve për t’u integruar, për të ardhmen europiane të saj”, tha Fyle. Komisioneri për Zgjerim vijoi mesazhet e tij për bashkëpunim mes palëve politike me fokus integrimin e plotë të vendit në BE. “Në mënyrë dypalëshe, por edhe në kuadër të Dialogut të Nivelit të Lartë, unë i kam bërë thirrje si qeverisë, ashtu edhe opozitës, sepse përgjegjësia është e të dyja palëve, – që ta përdorin këtë ‘dritare’ që na është hapur sot, që opozita të kthehet në Parlament dhe që qeveria të sigurohet, të marrë masat, që opozita të ketë çdo gjë që i nevojitet që të bëjë punën e vet të rëndësishme. Që të sigurohet, siç e thashë edhe gjatë deklaratës sime, që fitimtari nuk është kjo parti politike apo një parti tjetër politike, por që fitimtar, në fund të fundit, është Shqipëria, janë shqiptarët”, tha Fyle. Ai kërkoi që maxhoranca dhe opozita të ngrenë sa më shpejt Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian, i cili ka mbetur ende pa nisur nga puna për shkak të kundërshtimit nga opozita. “Unë e di se këtu ka konsensus të gjerë për të ardhmen e Shqipërisë për sa i përket integrimit europian, por i bëj thirrje qeverisë dhe opozitës që të punojnë së bashku, në mënyrë konstruktive, në frymë kompromisi që ta bëjnë integrimin realitet. Unë kam inkurajuar qeverinë dhe opozitën që të bashkëpunojnë për të ngritur Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian, e me anë të këtij Këshilli të kanalizohen të gjitha energjitë e palëve të interesuara, duke përfshirë shoqërinë civile në këtë proces reformash”, tha Fyle.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura