Fushata negative, si e vetmja rrugë e Ramës

Apr 30, 2011 | 10:45
SHPËRNDAJE

BELINA BUDINI

Ndërsa i afrohet pikës së nxehtë të saj, fushata zgjedhore në Shqipëri zakonisht bëhet edhe negative. Por, ky rregull, që nga njëra palë u bojkotua krejtësisht në këtë fushatë për zgjedhjet vendore, u përforcua dhe mori përmasa të reja si strategji e përdorur nga pala tjetër.  Pavarësisht se cila palë e përdori fushatën negative, të gjitha elementet e saj ishin kësisoj të pranishme në arenën zgjedhore, përfshirë edhe lojën e pistë apo atë që njihet në gjuhën e komunikimit politik si “dirty campaigning”. Sigurisht, mund të gjenden argumente sa të duash kundër mënyrës negative të bërjes së një fushate, apo të bëhesh ithtar i tezave moderniste pro fushatës negative, por kjo nuk është çështja. Teorikisht, fushata negative nuk konsiderohet as si e vetmja rrugë, as si rruga e mëkatit më të madh. Praktikisht, gjithçka varet nga mënyra si e përdor atë. Si parim në komunikimin politik, ajo mund të të kthehet kundër kur është hipokrite ose e pasinqertë dhe të të shpërblejë kur nuk tingëllon thjesht denigruese, por bindëse dhe informative. Kuptohet, pra, që për të qenë efikase, ajo duhet të jetë e përllogaritur me shumë saktësi. Për ndryshe, mund të shndërrohet në bumerang, ose të demobilizojë votues në vend që të mobilizojë të tillë.
Në këto zgjedhje është Edi Rama me Partinë Socialiste që kanë gjetur skenarin negativ si të vetmen rrugë për të marrë rezultat pozitiv në zgjedhjet e radhës. Nuk bëhet fjalë thjesht për përdorimin e disa elementeve apo ngjyrimeve të fushatës negative, por për fushatë totale negative, në ton e përmbajtje si edhe në qasjen ndaj kundërshtarit. Le t’i marrim me radhë, duke nisur nga dimensioni më i jashtëm i fushatës negative, që është toni i saj ligjërues. Toni i fushatës së Ramës është, sigurisht, mjaft agresiv, emergjent dhe detyrues, dhe për këtë mjaft të sjellim për shembull tingëllimin e parullës “Kurrë më”, që shoqëron të gjitha spotet publicitare të Partisë Socialiste, apo togje të tjera fjalësh që Rama i nxjerr nga goja e vet, që përbëjnë lajtmotivin dhe të vetmet tituj që gazetarët kanë mundur të nxjerrin nga fushata e tij e mbushur me thirrje të tipit “të marrim hak” apo “të ndëshkojmë”, por është për t’u shënuar edhe rikthimi në fjalorin e tij i epiteteve të rënda si “gangster”, “taleban” dhe “vrasës”, njëri prej të cilëve referuar vetë kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tjetri Kryeministrit të vendit dhe i fundit vetë kandidatit të tij rival për Bashkinë. Ka gjithashtu, një retorikë të dhunës, kur flitet në mënyrë abstrakte për ushtrim presioni e dhune, por që më tepër e mbart dhunën në vetvete në mënyrë simbolike, sesa gjen përkime me realitetin konkret të qytetarëve në jetët e tyre të përditshme. Vështirë t’i klasifikosh si domethënëse për nga pesha dhe frekuenca me të cilën ndodhin incidente të tilla, apo rituale fushatash si grisje posterash, thyerje xhamash e sherre të tjera banale mes militantësh partiakë, për të pretenduar se në këtë fushatë ka pasur dhunë dhe agresion fizik. Madje, ato shpesh dihet se janë të fabrikuara apo të inskenuara nga vetë subjektet politike të interesuara që të flitet për dhunë dhe presion. Bombardimi mediatik me skenarë të tillë të paqenë të dhunës, po, që përbën dhunë verbale! Në fund të fundit, edhe ky ligjërim i dhunës është pjesë e skenarit të fushatës negative.
Së dyti, edhe logjika përmbajtjesore mbi të cilën është ndërtuar oferta e Partisë Socialiste në këto zgjedhje, logjikë e cila normalisht përcillet nga slogani kryesor i fushatës, nuk është më pozitiviste sesa toni i saj. Megjithëse nuk e ka ngarkesën karikatureske të sloganit që parapriu fushatën “Fajin e ka Saliu”, slogani “E vetmja rrugë” e ndërton ofertën e Partisë Socialiste dhe të Edi Ramës mbi të njëjtën logjikë negativiste, sepse dihet që rruga e vetme nuk përkthen logjikën pozitive të ndërtimit të një alternative të re, siç është normale të ndodhë në demokraci, por atë të përjashtimit të rrugëve të tjera. Për nga logjika detyruese, të thuash “E vetmja rrugë” është njëlloj si të thuash “Rruga e mbetur”. Kështu, Rama dhe partia e tij po ua kërkojnë hapur votën qytetarëve, si ndëshkim për kundërshtarët dhe jo si meritë dhe besim për alternativën që ata vetë u paraqesin. Një slogan i tillë, në formën e një negacioni, duket si i hartuar për të mos ofruar asgjë. Për më tepër, thirrje të tilla si “të ndëshkojmë” apo “të marrim hak me votë” tingëllojnë kontradiktore si pjesë e ligjërimit të vetë kryetarit në fuqi të Bashkisë së Tiranës, i cili kërkon një mandat të katërt për këtë post.
Së treti, dhe ajo që e bën plotësisht negativiste rrugën e Ramës, është qasja ndaj kundërshtarit të drejtpërdrejtë, Lulzim Basha. Pas sulmeve të hapura, me spote televizive dhe slogane që pretendojnë se demaskojnë “Lulin e vërtetë” dhe “shkatërruesin e Tiranës” në këmbë të “shkatërruesit të Shqipërisë”, përpjekjet për ta nxjerrë Bashën në dritë negative shkojnë nga rrjedhjet e qëllimshme në media të informatave të bujshme rreth tij, që përfundojnë mandej në fiasko dhe deri te programet e humorit, pa hezituar të bëhen edhe version zyrtar drejtpërdrejt nga foltoret e institucionit të Partisë Socialiste. Një përqendrim kaq i lartë i negativitetit të fushatës së Partisë Socialiste kundër Bashës, sigurisht, zbulon përpjekjen për të asgjësuar pozitivitetin e ndërtuar nga vetë fushata e këtij të fundit, por tradhton njëkohësisht edhe frikërat e kamufluara nga rivaliteti i Bashës. Në fakt, ky nëntekst, që rrjedh nga fushata negative e Ramës kundër Bashës, sado i stërholluar që të duket, nuk është aspak i vështirë për t’u lexuar nga elektorati, pasi përbën tonin dhe shtratin dominant të saj, sidomos tani që fushata po shkon me shpejtësi drejt finales. Bazuar në arsyetime të tilla, nuk është çudi që një fushatë e tillë negative të prodhojë efektin e njohur “bumerang”.
Në të vërtetë, ai që njihet si efekti “bumerang” i fushatës negative nuk është shije e paprovuar në të shkuarën për kandidatë të caktuar, por Rama vetë, në këtë të shkuar ka qenë ai që ka nxjerrë qar prej saj dhe të tjerëve u ka rënë mbi kokë e tyrja. Vetëm më pas u kuptua se arsyeja lidhej me tonin e tepruar denigrues të fushatës kundër Edi Ramës. Tani është ky i fundit që ka zgjedhur të vërë në punë gjithë orkestrën e instrumenteve të rënda elektorale, për të denigruar me sa të mundë kundërshtarin e tij të drejtpërdrejtë në garën për Bashkinë e Tiranës. Aq e vërtetë është kjo, saqë për herë të parë dritat e skenës në një fushatë të Ramës për Bashkinë nuk janë më mbi Ramën, por mbi rivalin e tij, Bashën. Duket, pra, sikur protagonisti i fushatës së Ramës nuk është vetë Rama, por Basha. E njëjta gjë del në pah edhe nga tërheqja graduale e Ramës, nga strategjia e njohur tashmë dhe tentativa fillestare për ta anashkaluar kandidatin përballë, si në zgjedhjet e mëparshme me Sokol Olldashin. Rama ia ka dhuruar më në fund skenën e fushatës sfidantit, paçka se në tentativën për ta nxjerrë atë në dritë negative. Por, për protagonizmin e Bashës në këtë skenë, si edhe tonin dhe përmbajtjen e fushatës së tij, vlen të flitet më gjatë në një artikull tjetër vijues, gjithnjë duke u përpjekur të zbërthejmë elementet dhe strategjitë e komunikimit politik të përdorura prej tij si kandidati kryesor i Partisë Demokratike për zgjedhjet lokale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura