Furgonët, Haxhinasto: Fund kioskëzimit të transportit

Feb 28, 2014 | 12:10
SHPËRNDAJE

Haxhinasto dje gjatë takimit për sigurinë rrugore
Reagimi në konferencën për sigurinë, një ditë para protestës së shoferëve

Ministri nuk tërhiqet: Linja të rregullta me autobusë cilësorë

Qëndrimi i qeverisë për masat ndaj taksive 8+1 mbetet i njëjtë dhe zbatimi i ligjit do të shkojë deri në fund.  Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, u shpreh i vendosur për të vijuar me nismën ndaj furgonëve, duke e cilësuar këtë si të nevojshme për t’i sjellë transportit publik siguri dhe standarde. Në një tryezë të organizuar për sigurinë rrugore nga Këshilli Shqiptar i Sigurisë Rrugore, ministri u ndal në një sërë çështjesh që lidhen direkt me masat e mara nga qeveria.
Furgonët
Ministri u shpreh se situata aktuale e transportit në vend është në kaos dhe për këtë ai bëri një paralelizëm me atë që ndodhi në Tiranë, kur buzë Lanës dhe në parkun “Rinia” u ndërtuan kioska pa fund. Ai u shpreh se në masat që po merr qeveria për të sjellë transportin në standardet europiane, nuk mund të bëjë përjashtim edhe eliminimi i kioskëzimit të këtij transporti. “Ju kujtohet Tirana kur parku ‘Rinia’ ishte gjithë kioska, ajo është situata e transportit publik sot, me kioska, shikojeni parkun sot. Ashtu do të bëhet transporti publik në Shqipëri, me standarde siç i ka Europa, me linja të rregullta, me autobusë cilësorë, shërbim cilësor biletarie, itineraresh, sepse kështu jo vetëm arrijmë një standard më të lartë sigurie, por mbi të gjitha u shërbejnë qytetareve në mënyre europiane”, tha Haxhinasto. Një ditë para protestës së pritshme të furgonëve në gjithë vendin, ministri kërkoi nga opozita që të mos përkrahë aktivitetet që ushtrohen në ilegalitet.
Transporti
Ministri Edmond Haxhinasto u shpreh se si transporti detar, edhe ai ajror në vendin tonë kanë nevojë për një reformim të thellë në mënyrë që abuzimi me qytetin të marrë fund. Ai u shpreh se është e patolerueshme që korrektesa në orare dhe në paralajmërime nga ana e operatorëve të jetë minimale. Pikërisht në këtë linjë do të punohet sipas kreut të Transporteve që qytetari, cilindo lloj transporti që të përdorë, të gjejë një shërbim me standarde europiane.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura