Fullani ul në 2.5% interesin e lekut

May 31, 2014 | 6:59
SHPËRNDAJE

Guvernatori Fullani ne konference per shtyp
Banka e Shqipërisë ka ulur me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit të lekut, duke e çuar atë në 2.5 për qind. Vendimin e bëri me dije guvernatori Aridan Fullani dje gjatë konferencës për shtyp pas mbledhjes së Këshillit të Mbikëqyrjes. Në fjalën e tij, kreu i BSH tha se kjo masë merret për të nxitur konsumin e brendshëm dhe investimet. “Ulja e normës bazë të interesit synon të krijojë kushte më të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit pranë objektivit tonë në një periudhë afatmesme. Kjo lëvizje i shërben nxitjes së konsumit dhe investimeve të brendshme, duke synuar një shfrytëzim më të plotë të kapaciteteve prodhuese të ekonomisë dhe një kthim më të shpejtë të inflacionit në objektiv”, tha Fullani. Nga ana tjetër, ai ka kërkuar që bankat e nivelit të dytë të tërhiqen nga qëndrimi konservator i kreditimit të ekonomisë në kushtet kur lehtësimi i politikës monetare krijon gjithë premisat për lehtësim të financimit. Efekti
Në kushte normale të ekonomisë, ulja e normës bazë të interesit ka një seri efektesh zinxhirë. Kështu, së pari bankat janë më të interesuara të kreditojnë ekonominë duke ulur interesat, ndërsa individët janë më pak të interesuar të kursejnë para në kushtet kur interesat janë të ulëta. Nga ana tjetër, individët janë më të prirur të bëjnë investime dhe të shpenzojnë më shumë, pasi ulja e normës bazë të interesit për lekun e zhvlerëson këtë të fundit. Ky është reagimi në situatën normale, kurse në një situatë të komplikuar si ajo që ka trashëguar ekonomia e post-krizës në vendin tonë, reflektimi i uljes është bërë vetëm tek interesat e depozitave dhe shumë pak tek interesi i kredive. Qytetarët kanë vijuar të priren drejt kursimit duke e ulur dukshëm konsumin, nën mesataren historike. Një tjetër efekt që ka ulja e normës së interesit është edhe ulja e interesit të bonove, çka i leverdis në rastin më të mirë qeverisë, e cila i përdor këto të fundit si instrument borxhi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura