Fullani: Në janar u shtrenjtuan ushqimet, ulja e interesit dha efekt

Feb 28, 2013 | 11:52
SHPËRNDAJE
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani

Ushqimet e papërpunuara në janar kanë pësuar një rritje të çmimeve dhe kontributi i tyre në inflacion duket se ka qenë i lartë, edhe pse kjo është balancuar me të tjerë faktorë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha dje se rritja në këtë grup ushqimesh ka qenë dyshifrore. “Inflacioni vjetor shënoi 2.7 për qind në janar. Pjesa më e madhe e inflacionit, ose rreth 75 për qind e tij, vjen nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore. Në këtë kontekst, ndikimin më të madh e patën ushqimet e papërpunuara, të cilat regjistruan norma dyshifrore rritjeje. Çmimet e kategorive të tjera të shportës së konsumit pësuan luhatje të vogla, duke ruajtur një kontribut të ulët në inflacion”, tha guvernatori. Nga ana tjetër ai iu referua sistemit të pikëzimit të Bankës së Shqipërisë, i cili parashikon që inflacioni të mbetet brenda objektivit që ka Banka e Shqipërisë. “Banka e Shqipërisë vlerëson se me probabilitet 90 për qind inflacioni i çmimeve të konsumit parashikohet të luhatet në intervalin 0.8-3.8% pas 12 muajsh. Ky vlerësim faktorizon projeksionet tona për vazhdimësinë e hendekut negativ të prodhimit”, tha kreu i BSH. Nga ana tjetër ai u ndal edhe tek efektet e uljes së normës së interesit të lekut që Banka e Shqipërisë e ka çuar në nivelin 3.75 për qind. Sipas Fullanit, tashmë kjo ulje ka filluar të ketë efektet e saj në ekonomi. “Politika monetare forcoi natyrën stimuluese në muajin janar përmes uljes së normës bazë të interesit të lekut në 3.75 për qind. Ky lehtësim është përcjellë në normat e interesit të tregut ndërbankar gjatë muajit shkurt, dhe pritet që në vijim të shohim tejçimin e saj edhe në segmente të tjera të tregut financiar”, tha Fullani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura