Frika e Fukushimës, Gjermania mbyll centralet bërthamore

May 31, 2011 | 10:46
SHPËRNDAJE

Gjermania njoftoi se do të mbyllë të gjitha centralet bërthamore deri në vitin 2022, duke u bërë kështu fuqia e parë në grupin e vendeve më të industrializuara të botës që eliminon energjinë atomike dhe mbështetet tërësisht tek burime të tjera energjetike. Sipas VOA, anëtarë të qeverisë së koalicionit të Kancelares Angela Merkel e njoftuan vendimin sot në Berlin, pas një takimi disaorësh mbrëmë vonë. Udhëheqës partiakë thanë se vendimi për mbylljen e centraleve bërthamore të vendit brenda një dekade u mor në përgjigje të shqetësimeve, që u ngritën pas katastrofës bërthamore në Fukushima të Japonisë në mars të këtij viti. Marrëveshja bën thirrje për mbylljen e gati 17 centraleve bërthamore të Gjermanisë. Tri qendra gjeneratorësh do të mbeten në funksionim edhe për një vit, në rast se ka mungesa emergjente të energjisë. Lajmet nga Gjermania bëjnë të ditur se Kancelarja Merkel negocioi marrëveshjen për 12 orë me udhëheqësit e partive të koalicionit të saj. Partitë për mbrojtjen e mjedisit, mes tyre edhe Partia e Gjelbër, kërkonin që industria e energjisë bërthamore të mbyllej sa më parë, por grupe pro biznesit paralajmëruan se një hap i tillë mund të shkaktonte mungesa energjie me pasoja shumë të rënda për sektorin industrial të vendit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura