Frederik Stamati: Po punojmë me pak para e pa kushte

May 20, 2011 | 10:52
SHPËRNDAJE
Restauratori Frederik Stamati

Përpara i pret një punë e jashtëzakonshme. Një Zot e di se përse në vitin 1974 punonjësit e Institutit të Monumenteve i këputën një bojë kaki përsipër tavanit të Rulëve, që u ekspozua në Paris. E aq më pak mund të dish se përse të zotët e kishin ngjyer me 7 palë bojëra.Pasi kanë sjellë në jetë disa objekte, një grup restauratorësh e bashkëpunëtorësh po punojnë për restaurimin e tavanit të familjes Ruli. Një objekt i vitit 1873, i cili do të vendoset në Muzeun Etnografik që po ngrihet në 1200 metra katrorë të Muzeut Historik Kombëtar. Po punohet me orë të zgjatura, ndonëse nuk janë të favorizuar nga kushtet. Kanë sajuar një “laborator” në pjesën e pasme të MHK-së, ku kanë vendosur këmbaleca e tavolina, jo fort komode për të punuar. Bëhen prova me solucione e pastrues të ndryshëm për të hequr pisllëkun e shtresat e kohërave, e pastaj i futen punës. Koha është shumë e ngushtë e drejtuesi i këtij projekti, që financohet nga PNUD-i, restauratori Frederik Stamati, ngul këmbë të marrë edhe ca ditë më tepër. Të paktën ato ditë që u hëngri lëvrimi i fondeve. Stamati na tregon për procesin e punës dhe objektet që pas disa  kohësh do të ekspozohen në muzeun e ri.

Punimet për ambientet e Muzeut Etnografik nuk kanë nisur ende, megjithatë, ju po restauroni objektet që do të vendosen në të. Si po procedohet?
Ka filluar puna për restaurimin e objekteve që do të vendosen në Muzeun Etnografik, brenda Muzeut Historik. Restaurimi i një pjese të objekteve është mbështetur në mënyrë modeste nga PNUD-i. Bëhet fjalë vetëm për ato objekte që do të montohen dhe nuk mund të restaurohen më vonë, siç është rasti i tavanit të familjes Ruli nga Berati, trapazani i familjes Kazazi nga Shkodra, disa kangjella hekuri nga Korça. Gjithashtu, janë restauruar edhe 8 qilima që do të ekspozohen të varur. Po punojmë maksimalisht, në mënyrë që të arrijmë afatet, pa bërë asnjë ditë pushim dhe me orë të zgjatura. Fondi për restaurimin u lëvrua me vonesë dhe koha që kemi përpara nuk është e mjaftueshme për të realizuar të gjithë volumin e punëve.
Nga nisi puna?

Laborantja Naxhije Gjonaj dhe studentja Ylljana Ylli, duke punuar mbi tavanin 200-vjeçar

E filluam me trapazanin e Kazazëve, me një moshë 200-vjeçare, i cili tashmë ka mbaruar dhe është në një gjendje shumë të mirë. Ndërkaq, kemi përfunduar me kangjellat dhe po punojmë me dyert prej hekuri, për t’i hequr ndryshkun e për t’i bërë “kozmetikën” e duhur. Janë trajtuar qilimat që janë nga zona të ndryshme. Do ra e fundit do t’u jepet kur të vendosen.
Ndërkohë, po punoni mbi një tavan të ornamentuar, që për vite e kemi parë në hollin Laboratorit të Arkeometrisë…
Është tavani i familjes Ruli, i cili i takon vitit 1873. Gjatë punës erdhën dhe e vizituan edhe pronarët e vjetër, të cilët na treguan si e kujtojnë ata këtë tavan. Në vitin 1974, ky tavan është ekspozuar në Paris në ekspozitën “Arti Shqiptar në Shekuj”, pastaj në ekspozitën etnografike dhe për një kohë të gjatë ka ndenjur në ambientet e laboratorit. Ideja është që të mos ekspozohet e montuar lartë, por në vendosje ballore, në mënyrë që të lexohen gdhendjet. Gjatë punës kemi parë se ka deformime, në të janë bërë disa ndërhyrje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, duke e humbur dimensionin e tij real dhe jemi duke përpunuar mendimin se çdo të bëjmë me të. Në vitin 1974 IMK i ka dhënë një bojë të verdhë dhe ngjyrë kaki dhe tani ne duhet ta zhveshim prej saj. Nga pastrimi shohim se nën të ka një mori ngjyrash, si bojëqielli, jeshile, e kuqe, e bardhë, vishnje etj. Kemi identifikuar 7 lloje ngjyrash, por më në thellësi shohim se ngjyra fillestare e tij ka qenë e kuqe e çelët, ku ne synojmë. Ai është lyer i ndikuar nga influenca turke apo duke imituar tavanet e dekoruara në teqetë, apo xhamitë e Beratit.
Tavani paraqet probleme sidomos tek ornamentet. Në disa vende ka dëmtime të rënda dhe nuk dimë se si do të arrijmë ta riparojmë, kjo sepse ose kjo punë kërkon një shumë të atillë parash, sa ne nuk e përballojmë dot, ose edhe nuk arrihet prej drugdhendësve. Kjo është një punë që nuk bëhet me normë, që kërkon pasion dhe durim. Por deri tani është një problem ende i pazgjidhur dhe nuk e di se si do të marrë udhë. Është vënë një sasi parash për gdhendjen, por shohim se situata është më e vështirë, pasi objekti ka pësuar disa zhvendosje, çka ka sjellë edhe deformime të tij.
Sa kohë do t’ju duhet për ta përfunduar?
Projekti është deri në fund të majit, por ne kemi shumë punë për të bërë përpara. Duhet thënë se është një punë kolosale. Punën ne e filluam me një muaj e gjysmë vonesë dhe do të bëj një kërkesë që afati kohor të shtyhet edhe një muaj e gjysmë më shumë, aq sa u desh për lëvrimin e parave. Besoj se kjo do të jetë kohë e mjaftueshme.
Sa punonjës janë angazhuar në këtë proces dhe a i keni të gjitha kushtet për të punuar?

Një nga objektet që po restaurohet

Punësuam dy punonjëse, të cilat punuan me qilimat, ndërkohë që në këtë grup po punon laborantja e Muzeut, Naxhije Gjonaj, marangozi Nazmi Beharui, unë,  herë pas here vjen një specialist i MHK-së për konsultime si dhe një studente e Historisë, Ylljana Ylli, e cila punon vullnetarisht. Po punojmë në kushte të sajuara. Materialet i kemi, por nuk janë kushtet e duhura për të bërë këto punë.
Ju na përmendët vetëm disa objekte ku keni ndërhyrë, megjithatë, Muzeu do të ketë edhe shumë të tjera. Si do të procedohet për restaurimin e tyre?
Këtu do të ekspozohen rreth 1200 objekte, të cilat, kush më shumë e kush më pak, duhen kaluar nëpër duar. Por koha për ngritjen e këtij muzeu është shumë e vogël. Është e pamundur që të arrish trajtimin e këtyre objekteve në një kohë kaq të shkurtër. Eksperienca ka treguar se nevojiten rreth 12-14 vjet punë laboratorike për të përgatitur një muze, ndërsa neve nuk po na jepen as 12 muaj kohë. Megjithëse ne kemi kërkuar gjithnjë që të fillohet me restaurimin e objekteve, kjo nuk është e mundur. Në këtë moment, ne po bëjmë ç’është e mundur e ndoshta më pas do të merren të gjitha objektet një për një për t’u trajtuar.
Cilat janë objektet që paraqiten më të dëmtuara?
Probleme të rënda paraqesin tekstilet, por edhe disa objekte të gdhendura në dru, siç është prosimitari i Kishës së Leucës, i cili është shumë i bukur, por mbi të është bërë një ndërhyrje e gabuar, duke e lyer me vernik, kjo bën që gdhendjet të mos lexohen qartë. Atij i duhet hequr kjo shtresë dhe kemi kërkuar një fond plus për ta realizuar dhe ende nuk e dimë në do ta marrim. Kemi armë që kërkojnë ndërhyrje, lëkurët, postiqet që janë në gjendje shumë të keqe. Janë objekte që në shumicën e tyre nuk kanë parë ndonjëherë restaurim dhe që kërkojnë një ndërhyrje rrënjësore, dhe jo të përciptë.
Restaurimi është një anë, por ruajtja e tyre është ana tjetër. Janë marrë masat që kushtet e ekspozimit të jenë optimale?
Pas një projekt-propozimi që kam propozuar mbi nivelin e lagështisë, temperaturave etj., do të krijohen të gjitha kushtet dhe mendohet të jetë i niveleve ndërkombëtare, në mënyrë që të eliminohen dëmtimet gjatë ekspozimet. Kur ky muze u ndërtua, ka pasur një sistem kondicionimi, por me kalimin e kohës ai është dëmtuar dhe nuk janë dhënë asnjëherë para për riparimin e tyre.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura