FRD, zbulohet logoja e partisë Ish-deputetët Biberaj e Gjergji përgatisin detajet e fundit në selinë e re përballë PD

Apr 30, 2012 | 12:39
SHPËRNDAJE

Selia e FRD

Ish-deputetët Biberaj e Gjergji përgatisin detajet e fundit në selinë e re përballë PD.

Oketa: Sjellim frymë të re në politikën e vjetër shqiptare.

Partia Fryma e Re Demokratike do të zyrtarizohet sot në një ceremoni të posaçme, si forca më e re politike në Shqipëri. Tashme gjithçka është gati. Dje, dy përfaqësuesit me të njohur të FRD-së, ish-zëvendëskryeministri e aktualisht deputeti i pavarur Gazmend Oketa dhe ish-deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, kanë shuar kureshtjen, duke publikuar në faqen zyrtare logon e re të partisë Fryma e Re Demokratike. Logoja e FRD-së është vendosur dhe në godinën e “Kasmëve”, e cila do të jetë selia e re e partisë, që ndodhet disa metra larg Partisë Demokratike dhe përballë Parlamentit shqiptar. Stema e FRD-së ka formën e flakës së qiririt dhe përbehet nga tri ngjyra, verdhë, blu dhe bojë deti. Ceremonia e prezantimit do të zhvillohet sot dhe kryetari ad hoc, Gazmend Oketa, ka ftuar të gjithë qytetarët t’i bashkohen kësaj iniciative, që sipas tij do të jetë një frymë e re në politikën e vjetër shqiptare. “Sot ora 12.00 në Tiranë zhvillohet ceremonia e zyrtarizimit të “Fryma e Re Demokratike”. Jeni të mirëpritur t’i bashkoheni kësaj iniciative e cila synon të sjellë një frymë të re në politiken e vjetër shqiptare”, ka deklaruar deputeti Oketa ne faqen e tij të Facebook.
Ambientet
Zyrat e Partisë Fryma e Re Demokratike gjenden fare lehtë, po të marrësh si orientim godinën e Parlamentit. Lart, në katin e katërt të godinës me tulla të kuqe dhe ballkonet me ngjyrë të verdhë, spikat logoja dhe emri i vendosur rishtas i partisë Fryma e Re Demokratike. Dje është vendosur për herë të parë në shtizë flamuri i partisë. Drejtuesit e FRD-së kërkojnë me çdo kusht të ruajnë sekretin dhe të mos bëjnë publike para kohe të dhënat dhe përbërjen e kësaj partie. Gjatë një vizitë në ambientet e brendshme të FRD-së, sapo ngjitesh në katin e dytë, ndihet ende aroma e freskët e bojës ngjyrë blu të çelët që ka veshur muret. Në katin e tretë ndodhet dhe zyra e kryetarit dhe disa zyra të tjera që ende nuk kanë gjetur emërtesat në dyert ngjyrë kafe. Punonjësit janë duke zhvendosur nga ambientet e kateve më lart disa materiale, të cilat i kanë përdorur gjatë punimeve të sallës së konferencave. Pas një mbledhjeje të shkurtër me Komisionin Nismëtar në zyrën e kryetarit në detyrë, Gazmend Oketa, ish-deputetët e PD-së, Aleksandër Biberaj dhe Sami Gjergji, nuk kanë preferuar të rrëfejnë detajet e ceremonisë që do të zhvillohet sot. “Sot nuk ka intervista, nesër (sot) do merrni vesh gjithçka”, u shpreh Biberaj. Salla e konferencave ka përfunduar arredimin dhe në të vihen re karriget ngjyrë blu, të cilat janë ende në qese të papërdorura. Në ballë të sallës së konferencave është vendosur dhe një tavolinë prej druri dhe në të janë vendosur 5 karrige lëkure. Ngjitur me të, vihet re foltorja prej druri ngjyrë kafe e errët, e cila do të inaugurohet sot për herë të parë. Zyrtarët e kësaj partie, Gazmend Oketa, Aleksandër Biberaj dhe Sami Gjergji, kanë përsëritur dje dhe hyrjen që do të bëjnë para mediave për herë të parë si formacion politik.

Misioni
Sipas themeluesve të partisë Fryma e Re Demokratike, kjo forcë vjen si përgjigje e nevojës që shfaq shoqëria shqiptare në stadin e sotëm të pjekurisë së saj si shoqëri e lirë për moralizimin e politikës. “FRD do të shtrihet me strukturat e saj organizative në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe do të vendosë bashkëpunim të qëndrueshëm me diasporën, në emër të interesave të përbashkëta për fuqizimin dhe begatimin e Shqipërisë”, bëjnë të ditur krerët e FRD-së.

Topi: Do rikthehem si misionar në politikë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë një interviste në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, ka deklaruar se në përfundim të mandatit do të rikthehet në politikën aktive si një misionar. Kreu i shtetit theksoi se prej kohësh është mërzitur nga karrigia e zyrtarit dhe qëllimi i tij pas përfundimit të mandatit do të jetë politika. “Kur t’i vijë koha, do ta merrni vesh se ku do të jem. Ju siguroj që karriget janë bërë shumë të mërzitshme për mua. Nëse kthehem në politikë, do të kthehem si një misionar për të realizuar atë që, sikurse u pa dhe pak më parë, njerëzit kanë filluar të kenë frikë edhe për të folur”, deklaroi Topi. Ndërkohë, ai i ka quajtur si të pavend etiketimet që i behën partisë Fryma e Re Demokratike, duke e quajtur “Partia e Topit”. Presidenti pohoi ndërkaq se do të respektojë deri në fund mandatin e tij si kryetar i shtetit, duke mos u nxitur në replika apo qëndrime politike. Edhe pse emri i Presidentit është lakuar nga drejtuesit e kësaj force politike, se do të jetë ai kreu i ardhshëm i Frymës së Re Demokratike, kreu i shtetit ka lënë gjithçka në heshtje.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura