Francë, nëna, djali e kushëriri arrestohen me 11.5 kg kokainë

Jan 31, 2013 | 12:49
SHPËRNDAJE

FRANCE – Tre shtetas shqiptarë janë vënë në pranga nga Policia franceze, pasi janë kapur me 11.5 kilogramë kokainë të pastër, të cilën e kishin transportuar nga Spanja drejt Francës. Sipas mediave franceze, shqiptarët e vënë në pranga, dy prej të cilëve janë nënë e bir, u kapën gjatë një kontrolli në Portin e Marsejës, kur sapo kishin zbritur nga trageti dhe po tentonin të largoheshin me dy automjete të ndryshme. Droga, që sipas Policisë franceze, kap vlerën e mbi një milion dollarëve, kishte si destinacion qytetin e Marsejës dhe provincën Aix të Francës. Mediat franceze, që u referohen burimeve nga Policia vendase, shpjegojnë se tre shqiptarët e arrestuar i përkasin grupit famëkeq të trafikimit të drogës, të njohur nga organet e rendit me emrin “French Connection”. Arrestimi shtetasve shqiptarë u krye në kufirin e autostradës A 56, kur tre të ndaluarit, pjesëtarë të së njëjtës familje, dy prej tyre nëna dhe djali 32-vjeçar, po e transportonin drogën me dy vetura. Policia ka informuar se një vit më parë ishte arrestuar një anëtar tjetër i kësaj familjeje kur po transportonte 600 mijë euro, para që nga hetimet dyshohej se vinin nga shitja e drogës. Droga e gjetur dje ishte ngarkuar në Spanjë dhe si destinacion përfundimtar kishte qytetin e Marsejës dhe provincën Aix, por të arrestuarit kanë pohuar se droga ishte e destinuar për në shtetin italian dhe jo për në Francë. Policia franceze informoi se janë bërë dhjetëra arrestime dhe kontrolle të disa banesave private ku mendohet se strehoheshin personat e arrestuar gjatë periudhave të ndryshme, ku janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash, drogë e llojit kokainë dhe heroinë, kupjuterë, si dhe armë zjarri. Në këtë rrjet dyshohet se mund të jenë implikuar edhe shtetas të tjerë shqiptarë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura