PD: Rama provokoi shqiptarët, të tërhiqet menjëherë

Nov 30, 2013 | 17:00
SHPËRNDAJE

Laura Vorpsi

TIRANE- Partia Demokratike reagoi dje pas vendosjes në ceremoninë e 29 Nëntorit të portretit të Enver Hoxhës. Në një deklaratë për mediat të zëdhënëses së selisë blu, Laura Vorpsi, Kryeministri Rama i provokoi qëllimisht shqiptarët duke dhënë porosi që fotografia e diktatorit të ishte pjesë e ceremonialit të Ditës së Çlirimit.

“23 vjet pas rrëzimit të diktatorit më të egër të Europës, Edi Rama e rilindi dje Enver Hoxhën duke bërë homazhe për të dhe nën shoqërinë e tij. Prania e fotos së Enverit në ceremoninë e Kryeministrit është rënia e të gjithë skrupujve dhe shfaqja e fytyrës së vërtetë politike të Kryeministrit të sotëm. Ky provokim i qëllimshëm, i pabesë, në mes të ditës, është bërë me porosinë dhe nën regjinë e Edi Ramës. Shihni faqen zyrtare të Kryeministrit në Facebook, fotoja e parë e ceremonisë është ajo ku duket Enver Hoxha”, thuhet në deklaratën e PD-së. Sipas demokratëve, Rama pasi erdhi në pushtet me mashtrim, shkeli ligjin dhe Kushtetutën, tenton të trembë qytetarët duke rikthyer portretin e Hoxhës. Selia blu i kërkoi zyrtarisht kreut të qeverisë që të distancohet nga ngjarja e dy ditëve me parë në monumentin “Nënë Shqipëri” dhe të kërkojë ndjesë për ringjalljen e simbolit të komunizmit. “Partia Demokratike i kërkon Kryeministrit Edi Rama të distancohet urgjentisht nga akti i poshtërimit të shqiptarëve. Partia Demokratike i kërkon Kryeministrit t’u kërkojë falje sot, tani, pa kaluar as edhe një orë më shumë, të gjitha familjeve shqiptare e të gjithë shqiptarëve që kanë vuajtur drejtpërdrejt regjimin gjakatar të Enver Hoxhës. Por Edi Rama duhet të kërkojë ndjesë para gjithë kombit për ringjalljen e simbolit të urisë, të dhunimit të të drejtave të njeriut, të shkeljes së të drejtave të njeriut, të ndalimit të fesë, të shkatërrimit të ndërgjegjes dhe lirisë për 50 vite”, vijon më tej deklarata zyrtare e PDsë.

BERISHA
Ish-kryeministri Sali Berisha e ka quajtur vrasje për herë të dytë të dëshmorëve prezencën e portretit të diktatorit Hoxha në ceremonitë zyrtare të 29 Nëntorit. Në një status të postuar në mbrëmje në faqen e tij në Facebook, Berisha shkruan se kreu i qeverisë mori përsipër autorësinë e vendosjes së fotografisë së Enver Hoxhës, kur i nxori fotot në rrjetin social. “Dje në Ditën e Çlirimit të vendit, por sipas kalendarit bizantin të vendosur në Beograd 68 vjet më parë, krerët e maxhorancës Rama – Meta i vranë për herë të dytë dëshmorët e kombit. Ata me një skenar djallëzor vendosën kurorat me lule në nderim të tyre dhe e bënë këtë në praninë direkte të Enver Hoxhës, portretet e të cilit dominonin në shesh sikur të ishim në vitin 1987. Më pas, Edi Rama, për të dëshmuar autorësinë e këtij skenari, zgjodhi me kujdes dhe vendosi në Facebook fotot e ceremonisë ku spikatnin portretet e atit të tij shpirtëror”, shkruan ish-lideri i maxhorancës. Sipas tij: “Me këtë provokacion të rëndë, të papërgjegjshëm, jo thjesht nostalgjik, por më shumë simbolik, Rama – Meta ekzekutuan për së dyti të rënët dhe heronjtë tanë. Rama dje hapi siparin e rehabilitimit të Hoxhës dhe etërve të tjerë shpirtëror, por ne jemi sot për ta garantuar z. Rama se historia do t’i rezervojë atij fundin e etërve të tij mizorë”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura