Fondi i emergjencës, Ahmetaj: Me kontributin e bankave

Dec 7, 2016 | 13:37
SHPËRNDAJE

Qeveria parashikon ngritjen e një fondi emergjence për bankat, me kontributet e vetë bankave, që do të përdoret në rast falimentimi. Komisioni i Ekonomisë nisi dje diskutimet për ligjin e ndërhyrjeve së jashtëzakonshme në banka.

Ahmetaj

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, dhe zv.guvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, deklaruan dje se situata financiare në vend nuk ka asnjë krizë, ndërsa krijimi i fondit ka si qëllim konsolidimin e tij në vite për t’u ardhur në ndihmë bankave në rast rreziku.

“Nuk kemi asnjë krizë, nuk ka në potencë, as në horizont, risqet janë të gjitha në rënie, autoritetet mendojnë të kenë një kuadër se askush nga ne nuk vendos, apo parandalon, atë që një ditë mund t’i vijë një vendi, ashtu siç u erdhi edhe vendeve të zhvilluara, dhe nuk kemi pse të presim ditën e konfuzionit për të krijuar konfuzion më tepër. Instrumentet e parashikuara në projektligj synojnë që të parët që do t’u mbahen kostot për një kolaps të tillë të bankës të jenë aksionerët dhe më pas kreditorët. Për këtë qëllim parashikohet krijimi i një fondi me kontributet e vetë bankave, i cili synohet të konsolidohet në vite dhe në rast rreziku, me kushtet e përcaktuara në projektligj, të përdoret për të shpëtuar 1 apo disa banka”, u shpreh Ahmetaj.

Ministri i Financave tha se ky ligj synon edhe uljen e kostove të buxhetit në rrezik falimentimi. “Gjatë krizës, shumë vende për t’i shpëtuar bankat nga falimenti përdorën paratë e tatimpaguesve, nëpërmjet mbështetjes me likuiditet të tyre nga bankat qendrore, ose dorëzani nga shteti. Ky proces paraqet një ngarkesë të madhe monetare për buxhetet e shteteve dhe krijon një barrë jo të vogël financiare për tatimpaguesit. Një nga qëllimet e projektligjit është shmangia sa më shumë të jetë e mundur e veprimeve të tilla nga shteti dhe sidomos nga buxheti”, tha Ahmetaj. Zv.guvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, tha se arsyeja e propozimit të ligjit është për ta përafruar atë me legjislacionin e Bashkimit Europian.

“Nuk ka asgjë të veçantë në sistemin tonë financiar që e detyron këtë lloj vendosjeje, ndërtimin e infrastrukturës dhe prezantimin e projektligjit, por për shkak të arsyeja për të plotësuar direktivën e Bashkimit Europian për ndërtimin e regjimit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme në sistemin financiar. Si çdo sistem financiar, edhe ne kemi prezent riskun, i cili vlerësohet, monitorohet dhe menaxhohet nga Banka e Shqipërisë dhe autoritetet e tjera mbikëqyrëse, dhe nuk përbën asnjë lloj shqetësimi niveli aktual i riskut, i cili është brenda nivelit optimal të menaxhimit dhe më i ulët se dy vite më parë”, u shpreh zv.guvernatorja.

DORINA AZO/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura