Foli për drejtësinë e korruptuar, i hiqet fjala ekspertit të EURALIUS

May 31, 2014 | 10:22
SHPËRNDAJE

Joaquin Urias
Eksperti spanjoll Joaquin Urias, ish-drejtuesi i EURIALUS III, misionit të Bashkimit Europian për asistencën në sistemin e Drejtësisë Shqiptare, u hoq nga lista e folësve në konferencën e organizuar dje nga Ministria e Integrimit mbi përafrimin e legjislacionit me BE-në. Burime nga Ministria e Integrimit thanë se me propozim të SMEI 3, projekti europian i asistencës teknike për Ministrinë, Urias do të duhet të mbante një fjalë të veçantë gjatë konferencës. Por në momentet e fundit është hequr dorë nga pjesëmarrja e tij. Vendimi për të shmangur praninë e ekspertit spanjoll erdhi pak ditë pas intervistës së tij në “Zërin e Amerikës” të hënën e shkuar, ku ai foli me tone të forta kritike për situatën e sistemit të Drejtësisë në Shqipëri. Sipas Urias, në katër vitet e fundit gjendja e Drejtësisë shqiptare nuk ishte përmirësuar dhe se ajo ishte mjaft e keqe. Eksperti spanjoll kritikonte gjithashtu edhe pozicionin e Komisionit Europian, i cili sipas tij, ka pranuar të “flasë për progrese edhe aty ku nuk ka pasur progres. Nëse qeveria nuk ka një vullnet politik dhe Komisioni Europian nuk është i fortë për të thënë realisht të vërtetën dhe për t’i shtyrë që të bëjnë reforma, atëherë këto reforma nuk do të përfundojnë asnjëherë”, kishte nënvizuar Urias gjatë intervistës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura