FMN: Të pritet borxhi grek, nuk përballohet vetëm me kursime

Jul 31, 2012 | 12:18
SHPËRNDAJE

Protesta para Bankës së Greqisë

Kryefinancieri amerikan në Gjermani, premton koordinim për eurozonën.

Programi grek i kursimit nuk mjafton dhe sipas një raporti të brendshëm të FMN-së është e nevojshme një prerje e re e borxhit grek për të siguruar qëndrueshmërinë e tij dhe vazhdimin e financimit. Raporti i është dorëzuar komisionerit të Ekonomisë në BE, Oli Ren, si dhe presidentit të Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso. Sipas kreu të Eurogrupit, Zhan Klod Xhunker, largimi i Greqisë nga eurozona do të ketë pasoja të mëdha negative. “Dalja e Greqisë nga eurozona nuk do të zgjidhë problemet në zonën e euros. Përkundrazi. Reputacioni i vendeve anëtare do të dëmtohej, do të kishte pasoja të mëdha negative”, tha Xhunker. Ndërkohë përfaqësuesit e Trojkës, pas takimit me Kryeministrin grek Samaras, vendosën të qëndrojnë më gjatë në Greqi për të ndihmuar në finalizimin e planeve për sigurimin e 11.5 miliardë eurove që i mungojnë Greqisë për të siguruar arritjen në 3 për qind të deficitit buxhetor. Liderët grekë thanë se do të bëjnë ç’është e mundur për të plotësuar masat, madje u përmendën edhe kursime të reja. Përmasat e krizës që nisi në Greqi janë zgjeruar edhe në vende të tjera të eurozonës, dhe kreu i Eurogrupit, Zhan Klod Xhunker, vendosi të marrë një tjetër hap për të ulur shqetësimin në tregje. Ai tha se Banka Qendrore Europiane do të blejë bono nga vendet në krizë dhe masën më në fund e mbështeti edhe ministri gjerman, Volfgang Shaubëll. Ky i fundit u takua dje me sekretarin amerikan të Thesarit, Timoti Geithner. Ata pohuan se do të marrin masa të përbashkëta, të koordinuara, për të shpëtuar eurozonën. Geithner udhëtoi për në Gjermani dhe pas takimit me Shaubëll, të hënën vonë ai u takua edhe me kreun e Bankës Qendrore Europiane, Mario Dragi. Ata nuk specifikuan se cilat do të jenë masat që do të marrin, por në konferencën për shtyp të Geithner dhe Shaubëll, ata thanë se nevojitet “bashkëpunim dhe koordinim ndërkombëtar”.

Taksat në Zvicër
Greqia ka rinisur dje përpjekjet për të arritur një marrëveshje me Zvicrën me qëllimin për të taksuar grekët që kanë llogari bankare në bankat e këtij vendi, pasi banka qendrore greke tregoi se ka pasur një vërshim marramendës të parave jashtë vendit. Rreth 731 grekë kanë transferuar 1 miliard euro llogari bankare në bankat jashtë vendit.

Sondazhet gjermane
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka pranuar se është “thellësisht e shqetësuar” pasi një sondazh tregoi që më shumë se gjysma e gjermanëve besojnë se do të ishin më mirë pa euron.
Ndërkohë që Merkel vazhdon të flasë për luftën për të shpëtuar monedhën e përbashkët europiane, 51 për qind e gjermanëve besojnë se vendi i tyre do të ishte më mirë ekonomikisht po të mos e përdorte euron. Vetëm 29 për qind mendonin se do të ishte më keq nëse Gjermania dilte nga eurozona.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura