Fleury: Një ditë-jetë në Korenë e Veriut

Sep 30, 2011 | 11:54
SHPËRNDAJE
Nga filmi "Koreja e Veriut: Një ditë në jetë"

Gjyshi veteran radhit dekoratat në gjoks, kurse çdo mëngjes i këndon të nipit këngë kundër “imperialistëve amerikanë”. Duken të lumtur, por a janë vërtetë? Regjisori holandez, Pieter Fleury, ka hyrë në Korenë e Veriut për të realizuar një dokumentar mbi jetën e koreanoveriorëve. Bëhet fjalë për filmin “Koreja e Veriut: Një ditë në jetë”, i cili u shfaq në festivalin e Filmit të të Drejtave të Njeriut, që po zhvillohet në Tiranë. Ai tregon si hyri në Kore, si e gjeti familjen dhe si xhiroi një ditë nga jeta e saj.
Personazhet tuaj duken të lumtur, janë vërtetë?
Unë nuk kam folur me shumë njerëz, por unë besoj se njerëzit në Korenë e Veriut kanë raste që janë të lumtur. Çdonjëri përpiqet në të shumtën e kohës të gjejë lumturinë në situatën ku ndodhet. Është si bari që rritet në tokë, dhe jo në rrugë, pra ai e gjen vendin se ku të mbijë, anës rrugës.
Çdo mëngjes ata këndojnë këngë për “udhëheqësin e dashur” Kim Jong II. Mos ishte kjo një farsë?
Kjo është pjesë e edukatës së tyre dhe e detyrës. Kjo është mënyra që përdor qeveria për të penetruar në mendjet e njerëzve dhe për t’i edukuar ata në këtë mënyrë. Ndaj, mendoj se ky është një obligim prej të cilit nuk shpëton dot.
Si e gjetët këtë familje? Kontaktuat me organet lokale?
Po, kam bërë një marrëveshje me byronë e filmit pranë qeverisë koreano-veriore, sipas së cilës ne do të bënim një film së bashku, sepse unë iu thashë se nuk dija asgjë për vendin e tyre. ata pranuan të më ndihmonin. Iu thashë që do të bëja një film që ta trajtonte se si ishte një ditë në jetën e një koreanoveriori që punonte. Ata ranë dakord që të më vinin në kontakt me një grua që punonte në fabrikën e tekstilit, por më thanë se nuk ishin të sigurt nëse ajo ishte e bukur. Në këtë moment u stepa pak, se është një kusht i rëndësishëm që personazhi i filmit të jetë tërheqës për spektatorin, megjithatë s’kisha ç’të bëja. Kur shkova në fabrikë dhe pashë gjithë ata njerëz, syri më zuri një grua vërtet të bukur, dhe urova të ishte ajo. Kisha të drejtë, ajo ishte. Ata më sugjeruan që të mos merrja vetëm atë gruan në film, por edhe gjithë familjen e saj, e më pas kam punuar bashkë me koreanët për skenarin. Koreja e Veriut më propozoi që të xhiroja ditën e të gjithë familjes, të secilit anëtar, duke parë edhe kombinimin mes tyre. Kjo më pëlqeu.
A keni pasur mundësi të flisni me ata njerëz jashtë kamerave, për të kuptuar më shumë mbi jetën e tyre?
Zero mundësi. Si fillim, njerëzit që kam xhiruar nuk flisnin fare anglisht, dhe e dyta, nuk është mirë për njerëzit nga Koreja që të kenë kontakt me të huajt. Edhe sikur unë të kisha mundësi, ishte kjo situata nëse ata ishin të lejuar të flisnin me mua. Pastaj, unë nuk flisja gjuhën e tyre, ata nuk flisnin anglisht dhe me ne kishte gjithnjë një përkthyes të qeverisë. Ata kishin një ndjenjë të thellë që duhet të flisnin me ne. Unë di pak japonishte dhe jam përpjekur të flas me njerëz në këtë gjuhë, duke përfituar nga fakti që përkthyesi dinte anglisht, por jo japonisht.
Çfarë kuptuat nga këto biseda?
Atë që kisha ndjerë, se në disa çaste ata njerëz ndiheshin të lirë dhe të lumtur. Ata nuk janë aq të pakënaqur nga regjimi dhe nuk kërkojnë çdo mundësi që këtë t’ia thonë një të huaji. Nuk e bëjnë këtë, sepse janë krenarë për vendin e kulturën e tyre.
Ju keni punuar me një familje të zgjedhur nga qeveria, çka do të thotë se mund të jenë edhe njerëz të qeverisë…
Është një çështje komplekse kjo që prekni ju. Ata janë në një pozicion të mirë në shoqëri, krahasuar me koreanët e tjerë. I përkasin një klase të mirë shoqërore. Po si arrin deri atje? Gjyshi i familjes që është në film ka luftuar, ka grada dhe kjo iu jep atyre privilegje. Ky pozicion i bën ata të jenë besnikë të qeverisë. Nuk mund të them se janë të detyruar, as se janë  kukulla. Ju e keni parë momentin kur dërgojnë fëmijën në shkollë me motor, dhe dëgjoni që këndojnë një këngë më këtë tekst: “Qentë amerikanë do të tremben”. Mendoj se kjo është çmenduri ta bësh me fëmijën tënd, por mbase kështu tregohet edhe frika ndaj qeverisë dhe i duket se kështu del mirë në kamerën time. Mendoj  se ky film të bën të mendosh për kufijtë e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura