Fletët e kontestuara, peng në KQZ

May 31, 2011 | 11:17
SHPËRNDAJE

Kërkesat e PD-së dhe PS-së për rezultatin e Tiranës duket se do të kenë të njëjtin fat, do të rrëzohen për mosarritje të kuorumit të nevojshëm.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosë sot mbi kërkesat e Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për rezultatin e Tiranës. Nisur nga qëndrimet e djeshme të anëtarëve, kërkesat, me sa duket, nuk do të marrin sipas rastit më shumë se tri ose katër vota. Për rreth pesë orë, anëtarët e KQZ-së dhe përfaqësuesit e partive debatuan mbi përmbajtjen e dy kërkesave dhe në fund u vendos që të merret në shqyrtim dokumentacioni i kërkuar. Për kërkesat e PS-së do të merren vendimet që ka marrë më parë KQZ-ja dhe tabelat e numërimit të ardhura nga KZAZ-të, ndërsa për kërkesën e PD-së u vendos të hapej kutia e votimit të materialeve zgjedhore për të 26 qendrat e kërkuara, ku do të shikohet nëse në librin e protokollit të mbledhjeve ka shënime për fletët e kontestuara të votimit.
Debati në mbledhje
Në seancën e cila filloi pak minuta pas orës 09:30, përfaqësuesit e PS-së kërkuan pezullimin e kësaj çështjeje, për shkak se një vendim që lidhet me Tiranën është duke u gjykuar në Kolegjin Zgjedhor. Kësaj kërkese iu bashkua edhe Partia e Pensionistëve, e cila ka paraqitur gjithashtu një ankim në KQZ. Por, me katër vota pro dhe tri kundër, ky propozim të PS-së u hodh poshtë. Gjatë parashtrimit të argumenteve, përfaqësuesit e PS-së u shprehën se vendimet e KQZ-së janë marrë në shkelje të ligjit. “Duhet të konstatohet pavlefshmëria e atyre vendimeve dhe të ndryshohet vendimi nr.711, datë 23/05/2011 i KQZ, duke u miratuar tabela përmbledhëse e rezultatit të zonës zgjedhore Bashkia Tiranë, në bazë të tabelave të rezultateve të nxjerra nga KZAZ-të e kësaj zone zgjedhore dhe ato të QV të transmetuara në bazën e të dhënave të KQZ nga VNV-të dhe duke u shpallur fitues z. Edi Kristaq Rama, propozuar nga Koalicioni Aleanca për të Ardhmen”, tha avokati i PS-së, Eno Bushi. Nga ana e tyre, demokratët u shprehën se votat e kontestuara duhet të rivlerësohen, rinumërohen dhe të përfshihen në tabelën përfundimtare të Bashkisë. Sipas Ivi Kasos, jurist i PD-së në KQZ, “ne pretendojmë se vlerësimi që i është dhënë vonës nuk ka qenë ai reali. Është përdorur maxhoranca në raste të caktuara”. Pas debatit mes përfaqësuesve të partive, edhe anëtarët e Komisionit u ndanë në qëndrimet e tyre lidhur me dy kërkesat. Sipas Dëshira Subashit, kërkesa e PD-së është taktike dhe nuk bind. “Është hera e parë që fituesi sjell një kërkesë ankimore në KQZ. Kjo përbën një nonsens. Unë e konsideroj një ankim taktik atë të PD-së. Thuhet se duhen numëruar votat e kontestuara, por nuk thuhet pse. Kjo kërkesë ankimore nuk më bind”, tha nënkryetarja e KQZ-së. Ndërsa anëtari i opozitës, Pandeli Varfi, tha se në kërkesën ankimore të Partisë Demokratike nuk është konstatuar asnjë shkelje dhe nuk është e bazuar në fakte. Por, të djathtët e KQZ-së e mbrojtën kërkesën me argumentimin se kërkesa e PD-së është e qartë në atë çfarë kërkohet. “Është krejt e qartë dhe e pastër që kërkesa e PD-së është e bazuar. Në kërkesë është paraqitur edhe qendra e votimit e numri i faqes së librit të protokollit, ku flitet për votat e kontestuara”, tha Vera Shtjefni.
Kodi
Në nenin 24 të Kodit Zgjedhor flitet për vendimmarrjen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në pikën 1 të këtij neni flitet për vendimet që duhet të marren me jo më pak se pesë vota. Me votim të cilësuar miratohet shpërndarja e mandateve për çdo zonë zgjedhore, por edhe ndryshimi i tabelave përmbledhëse. “Konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me: a) shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, sipas neneve 162, 163 dhe 166, pika 3 të këtij Kodi; b) pranimin e ankimit kundër vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve të zonës zgjedhore, sipas nenit 123 të këtij Kodi dhe vendimet lidhur me ankimet kundër vendimeve të KZAZ-ve për rezultatin e zgjedhjeve për qeverisjen vendore”, thuhet në Kodin Zgjedhor.

PD fiton këshillat në Berat dhe Kukës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ndau mbrëmë mandatet për këshillat bashkiakë dhe komunalë në qarkun e Beratit dhe Kukësit. Në dy bashkitë, Çorovodë dhe Poliçan, Aleanca për Qytetarin ka fituar përkatësisht 5 mandate më shumë dhe dy mandate më shumë se Aleanca për të Ardhmen. Për sa i përket ndarjes së mandateve brenda të djathtëve, LSI-ja ka marrë në të dyja bashkitë gjithsej 7 mandate, ndërsa PD-ja 2 mandate. Për sa u përket komunave në qarkun e Beratit, rrethi i Skraparit, demokratët kanë marrë shumicën edhe në pesë këshilla komunalë, konkretisht në Vëndreshë, Bogovë, Gjerbës, Leshnjë dhe Çepan. Nga ana e tyre socialistët, së bashku me aleatët, kanë fituar shumicën e këshillit vetëm në komunën Potom. Për sa i përket qarkut të Kukësit, në mbledhjen e djeshme janë ndarë mandatet në 11 komuna, të cilat janë fituar të gjitha nga koalicioni i djathtë, i kryesuar nga Partia Demokratike. Nga partitë jashtë koalicionit nga një mandat kanë fituar LZHK-ja, PBDNJ-ja dhe PKSH-ja.

KQZ, edhe 11 kërkesa ankimore

Për sa u përket kërkesave ankimore, KQZ ka shqyrtuar 94 kërkesa ankimore, nga 105 që u paraqitën në total, në periudhën pas zgjedhore. Kanë mbetur vetëm 11 kërkesa pa u marrë ende në shqyrtim, ndërkohë që 12 kërkesa janë shtyrë për rishqyrtim në ditët në vijim. Nga 94 kërkesat e marra në shqyrtim nga KQZ, vetëm 16 prej tyre kanë paraqitur ankimim të mëtejshëm në Kolegj deri më sot.

Debatet në KQZ

Eno Bushi (Përfaqësues i PS): Nga ana jonë është paraqitur kërkesa për faktin e një çështjeje gjyqësore të çelur nga PS-ja në Kolegjin Zgjedhor. Duke qenë se vendimmarrja juaj lidhur me këto kërkesa që po shqyrtohen sot është e varur nga vendimi i Kolegjit, për vendimin 709 kërkojmë të vendosni pezullimin e shqyrtimit të kërkesave ankimore deri në përfundim të gjykimit nga ana e Kolegjit.
Ivi Kaso (Përfaqësues i PD): Jemi kundër kërkesës së PS-së. Fakti që PS ka ankimuar një vendim në Kolegj, nuk e kushtëzon KQZ-në të vazhdojë me shqyrtimin e këtyre kërkesave. Objekti i kërkesave të PS është kundërshtimi i vendimit 710 dhe 711 dhe nuk përmendet vendimi 709 që e kanë ankimuar në Kolegj.
Selami Jenisheri (Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve): Ne kërkojmë pezullimin e shqyrtimit të ankimimit, meqenëse kemi paraqitur një kërkesë në Kushtetuese në 20 prill 2011, ku kemi kërkuar shfuqizimin e nenit 69, 70, 87 të Kodit.
Dëshira Subashi: Kërkesat ankimore për rezultatin në Tiranë janë një çështje që na ka vënë një vulë të zezë, sepse deformoi rezultatin në tavolinë. Ishte e pandodhur më parë në Shqipëri, prandaj kërkohet të shprehet Kolegji.
Arben Ristani: Na takon ta mbrojmë pak institucionin që ju e shani.
Dëshira Subashi: Mbrojeni, mbrojeni sepse ata që na shohin e shikojnë si po e mbroni.
Arben Ristani: Disa anëtarë të KQZ e kanë treguar prej kohësh daljen nga rruga ligjore dhe marrjen me politikë, qëkur braktisën KQZ për një kohë të gjatë. U tentua të mos hyhej në zgjedhjet e 8 majit. Të gjithë e mbajnë mend si u luftua kundër bojës matrikuluese dhe e gjitha kjo është një lojë për ta dëmtuar procesin.
Kërkesa e PS-së për pezullimin e procesit hidhet në votë dhe rrëzohet 4-3
Eridian Saliani (përfaqësues i PS): Vendimi nr.710 i KQZ është marrë në shkelje flagrante të ligjit dhe në tejkalim të kompetencave të KQZ. Kjo, pasi neni 122 i Kodit Zgjedhor parashikon shprehimisht se në rast të mosmiratimit të tabelës përmbledhëse të rezultatit nga KZAZ, atëherë KQZ duhet dhe ka detyrimin që në zbatim të parashikimeve të nenit 35/5 të Kodit Zgjedhor, të miratojë këtë tabelë. Miratim i cili duhet të kryhet sipas procedurës të parashikuar nga neni 122, duke u hartuar e miratuar tabela përmbledhëse mbi rezultatet e nxjerra e të shprehura në tabelat e rezultateve për çdo QV nga GNV-të e KZAZ-së.
Eno Bushi: Duhet të konstatohet pavlefshmëria e atyre vendimeve dhe të ndryshohet Vendimi nr.711 datë 23/05/2011 i KQZ, duke u miratuar tabela përmbledhëse e rezultatit të Zonës Zgjedhore Bashkia Tiranë, në bazë të tabelave të rezultateve të nxjerra nga KZAZ-të e kësaj zone zgjedhore dhe ato të QV të transmetuara në bazën e të dhënave të KQZ nga VNV-të dhe duke u shpallur fitues z. Edi Kristaq Rama, propozuar nga Koalicioni “Aleanca për të ardhmen”.
Oerd Bylykabashi: Aktualisht, ne vlerësojmë se në këtë fazë është me vend dhe me rëndësi për t’i shtuar legjitimitetin dhe besimin e duhur publik procesit zgjedhor në Tiranë, që këto vota të kontestuara dhe të identifikuara për kandidatët e Bashkisë së Tiranës të merren, këqyren, të vlerësohen, rinumërohen dhe të reflektohen në rezultat për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.
Arben Ristani: Ju kundërshtoni vlerësimin që i është bërë votës nga numëruesit?
Ivi Kaso: Ne pretendojmë se vlerësimi që i është dhënë vonës, nuk ka qenë ai reali. Është përdorur maxhoranca në raste të caktuara.
Genc Gjonçaj: PD-ja asnjë herë nuk ka dashur transparencën e procesit zgjedhor. Kodi Zgjedhor i ngarkonte KQZ-së detyrën për të miratuar rezultatin e KZAZ-ve dhe jo të vendoste rezultatin në tavolinë. Kishte raste kur kodet nuk përputheshin me atë që ishte shkruar në letër apo në një kuti ku u gjet fleta e votimit e një qendre tjetër. Unë nuk mendoj se ju do ta rrëzoni kërkesën e PD-së. Katër anëtarë të KQZ-së kanë dalë prej kohësh nga binarët e ligjit.
Pandeli Varfi: Në kërkesën e PD-së nuk konstatohet asnjë shkelje e pretenduar. Nuk kemi asnjë fakt dhe asnjë provë, por bëhet me dije se ka fletë të kontestuara. Kërkesa është e pambështetur në ligj.
Artan Laze: KQZ-ja u nxitua në marrjen e vendimit për administrimin e materialeve zgjedhore. Gjithë kjo veprimtari e KQZ-së është joligjore. Po vazhdon të goditet jo vetëm KQZ-ja, por edhe demokracia në përgjithësi. Kjo do të jetë një goditje akoma më e rëndë.
Hysen Osmani: Ka një spekulim ordiner këtu, që ne kemi shtuar votat në kutitë e votimit. Ne kemi numëruar vetëm votat në kutinë e gabuar.
Dëshira Subashi: Është hera e parë që fituesi sjell një kërkesë ankimore në KQZ. Kjo përbën një nonsens. Unë e konsideroj një ankim taktik atë të PD-së. Thuhet se duhen numëruar votat e kontestuara, por nuk thuhet pse. Kjo kërkesë ankimore nuk më bind.

Elbasan, kandidati i PD, fitues me logon e PS
Partia Socialiste ka paraqitur dje një kërkesë ankimore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për komunën Papër të qarkut të Elbasanit, ku kandidati socialist kishte në krah emrin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”. Në këto zgjedhje, në komunën Papër rezulton të ketë fituar kandidati i Partisë Demokratike, Gani Cani, pranë emrit të të cilit ishte vendosur gabimisht emri i koalicionit “Aleanca për të ardhmen”. Kandidati demokrat ka fituar me 217 vota më shumë, ndërsa në ditën e zgjedhjeve dy rivalët kanë vendosur bashkërisht që pavarësisht gabimit në fletën e votimit, të vazhdojë procesi zgjedhor. Gjatë shqyrtimit të djeshëm në KQZ, përfaqësuesit e majtë kërkuan që zgjedhjet në këtë komunë të shpallen të pavlefshme për shkak të këtij gabimi, ndërsa anëtarët e djathtë u shprehën në proces nuk ka ndikuar ky lapsus. Vendimi u shty për ditën e sotme.

Vendimet nr. 709, 710 e 711
Partia Socialiste ka kërkuar rrëzimin e tri vendimeve, me nr. 709, 710 e 711, që shpallin Lulzim Bashën fitues. Në një prej vendimeve KQZ merr rolin e KZAZ-së dhe numëron votat, ndërsa në vendimin e fundit ajo shpall Lulzim Bashën fitues me 81 vota para. “Rezultatet e shënuara me shifra për kandidatët për kryetar të Bashkisë Tiranë, që janë në tabelat origjinale të çdo QV-je, janë të njëjta me rezultatet përkatëse në tabelat përmbledhëse origjinale të rezultateve të miratuara nga KZAZ-ja dhe me ato që ndodhen në bazën e të dhënave”, thuhet në vendim.

Ristani: Pse e votuam aktin për votat gabim

Kryetari i KQZ, Arben Ristani, shprehet se institucioni që ai drejton mori vendimin më të mirë në bazë të praktikave zgjedhore për të numëruar votat në kutitë e gabuara. Duke e cilësuar tentativën e anëtarëve të opozitës në KQZ si “antiakt”, me “synime staliniste”, Ristani thotë se parimi për të lexuar votën e qytetarëve është më i larti. Sipas tij, kundërshtuesit e tij kërkojnë të veprohet sipas thënies së Stalinit, që “s’ka rëndësi se kush voton, por kush numëron”. “Antiakti nuk e di se neni 7 i Kodit të Procedurave Administrative e përcakton diskrecionin si ushtrim të autoritetit publik për të realizuar qëllimin e ligjshëm, pa pasur paraprakisht autorizimin e ligjit. Çuditet antiakti se, në fakt, antiakti synon pikërisht të realizojë synimin stalinist: ‘S’ka rëndësi kush voton, rëndësi ka kush numëron’. Për ne është e kundërta. Për ne rëndësi ka kush voton. Pikërisht për këtë m’u desh të theksoja se sa i ngjashëm është antiakti, nëpërmjet termave që përdor, me parimin që ndjek. Është i njëjti parim i shprehur pikërisht me këta terma. Tani, përderisa ne jemi pro aktit, mua do të më duhet ta lexoj, sepse është për t’u lexuar. Është puna jonë, e gjithë këtyre ditëve të lodhshme dhe më duhet ta bëj prezent për mbarë opinion publik, megjithëse u është shpërndarë të gjitha palëve pjesëmarrëse në seancë”, shprehet Ristani. Sipas kreut të KQZ-së, kundërshtuesit e aktit, ose “antiakti”, siç preferon t’i cilësoi ai, kanë përmendur në mbledhjet e KQZ-së edhe të vdekur, varre apo kriminelë për të kundërshtuar vendimmarrjen e KQZ-së.

 

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura