Flet drejtori i Ministrisë: Amnistia për makinat, kategoritë që përfitojnë

Feb 7, 2017 | 10:31
SHPËRNDAJE

Shtimi i kërkesave për rivlerësimin e shtëpive me taksën 2 për qind është arsyeja që qeveria zgjati me 3 muaj afatin e rivlerësimit. Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera, në intervistën për gazetën “Panorama” shpjegon se deri në fund të muajit dhjetor kanë aplikuar 27 mijë qytetarë në hipoteka për rivlerësim prone. Lera tha se buxheti ka arkëtuar 2,4 miliardë lekë nga taksa 2 për qind, ndërsa konfirmon për shtim të numrit të aplikimeve.

Drejtori i Politikave Fiskale të Ministrisë së Financave, Niko Lera
Drejtori i Politikave Fiskale të Ministrisë së Financave, Niko Lera

Për amnistinë e detyrimeve dhe gjobave të biznesit dhe makinave, drejtori i Politikave Fiskale, Lera, tha se ligji është drejt miratimit. Lera shpjegoi se për makinat do të fshihen të gjitha taksat e papaguara deri në 2011, ndërsa pas kësaj periudhe, falen vetëm gjobat, me kushtin që të paguhen detyrimet. Për vendosjen e taksës së pronës, sipas vlerës së tregut, Lera tha se ka nisur puna për ngritjen e kadastrës fiskale në Tiranë, Durrës, Korçë dhe Fier.

Qeveria miratoi zgjatjen edhe 3 muaj të rivlerësimit të shtëpive me tatim 2 për qind. Pse u kërkua nga Ministria e Financave shtyrja e afatit?

Në muajin shtator, qeveria miratoi ligjin për t’u dhënë të drejtën qytetarëve dhe bizneseve të rivlerësojnë pasuritë e tyre të paluajtshme, i cili shtrinte efektet deri më 28 shkurt 2017, për një periudhë 6-mujore. Ministria e Financave ka konstatuar se gjatë kësaj periudhe ka pasur një interesim të madh nga ana e publikut për të shfrytëzuar këtë ligj për të bërë rivlerësimin e pronës.

Procesi i rivlerësimit me tatimin 2 për qind është shumë lehtësues për ata që dëshirojnë ta kryejnë këtë proces, pasi shërben për kolateral, për të afruar pronën me çmimet e tregut. Gjatë kësaj periudhe, në hipoteka kanë aplikuar 27 mijë qytetarë. Shuma totale e taksës që do të arkëtohet llogaritet 2.4 miliardë lekë. Deri më 31 janar, nga 27 mijë aplikime, pas trajtimit të tyre kanë përfunduar 22,150 aplikime dhe janë paguar në buxhetin e shtetit nga taksa 2 për qind 1.63 miliardë lekë. Pra është një proces që po ecën dhe ka interesim.

Nisur nga kërkesat e larta për të bërë rivlerësimin, u pa e arsyeshme që afati të zgjatet edhe me 3 muaj, pasi shohim se në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme ka kërkesa dhe radhë dhe nuk duam që ata qytetarë, që janë të interesuar, të mos mund të kryejnë këtë proces për shkak të afatit kohor. Pak kohë më parë lindi një keqkuptim që frenoi disi këtë proces, që u lidh me mundësinë e kalimit në një bazë vlerore të taksimit të pasurisë. Nuk ka asnjë lidhje, pasi edhe nëse pasuria do të taksohej në bazë të vlerës së tregut, çdo individ, qoftë ai që e ka të regjistruar pasurinë në bazën e tregut apo qoftë edhe ai që nuk e ka të regjistruar me vlerën e tregut, por e ka të regjistruar me koston e ndërtimit apo çmimin e blerjes, për efekt të llogaritjes së vlerës së tregut do të merret për të gjitha kategoritë e pronarëve vlera reale nëpërmjet çmimeve fiskale.

Po çfarë përfiton një qytetar nëse e kthen shtëpinë apo tokën e tij në vlerën reale të tregut?

Mund të përfitosh shumë avantazhe. Së pari, nëse dëshiron të marrësh një kredi, pronën mund ta vendosësh si kolateral me një vlerë të lartë të certifikuar. Së dyti, nëse do ta nxjerrësh në treg për ta shitur, pasuria do të ketë një vlerë reale. E treta, është lehtësia fiskale, sepse taksa normale për transferimin e pasurisë së paluajtshme është 15 për qind e fitimit, por ti, nëse e ke sot pronën të regjistruar me kosto të ulët dhe do ta shesësh, ke interes ta bësh rivlerësimin e kësaj prone, sepse do ta çosh me një taksë 2 për qind në vlerën e tregut dhe ta shesësh me këtë vlerë tregu apo diçka më shumë, çka do të thotë që do të paguhet pothuajse zero tatim, nëse do të bëhet rivlerësimi i pasurisë. Këto elemente kanë nxitur shtimin e kërkesave, çka solli edhe shtyrjen e afatit të rivlerësimit.

A penalizohen qytetarët që kanë kryer rivlerësimin nga rritja e çmimit fiskal të zonës ku banojnë dhe a duhet ta përsëritin procesin?

Ky është një proces i përvitshëm, çdo vit azhurnohet lista e çmimeve të kostove minimale. Tirana është e ndarë në 11 zona kadastrale, ku çdo zonë ndahet në 3 deri në 4 nën zona, e cila funksionin në këtë mënyrë prej 12 vjetësh. Pra çmimet fiskale azhurnohen në bazë të çmimit të tregut për secilën zonë, dhe nuk do të thotë gjë pse çmimet janë rritur në 5 zona apo në 23 zona të tjera nuk ka ndryshuar. Pra çmimet fiskale ndjekin ecurinë e tregut, në ato zona që është vënë re që ka kërkesa, çmimi i tregut është rritur, krahasuar me një vit më parë, kur është azhurnuar çmimi i kësaj zone. Ndryshimi i çmimeve nga viti i kaluar është shumë i vogël, mund të lëvizë 1 për qind apo 2 për qind dhe nuk ka një interes të madh për ta bërë brenda të njëjtit kuadër ligjor dy herë rivlerësimin e shtëpisë.

Si do të kryhet rivlerësimi për apartamentet që u privatizuan në vitet 1991- 1992?

Nëse një banesë, që është privatizuar me çmime simbolike 20 mijë lekë apo 30 mijë lekë në vitet 1991-1992, e cila sot mund të ketë një vlerë 4 milionë apo 5 milionë lekë të rinj, në rast se kjo shtëpi shitet, do të paguhet tatimi 15 për qind mbi çmimin bruto të shitjes. Pra mund të bëhet rivlerësimi, nëpërmjet ekspertit ose nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që përdor çmimet referencë bazuar në vlerën e tregut, ndërsa çmimi i mëparshëm do të llogaritet me çmimin fiskal të vitit 1996, që është 16,644 lekë për Tiranën. Tatimi 2 për qind do të paguhet mbi diferencën e çmimit aktual dhe çmimit të mëparshëm të shtëpisë.

Cilat janë kategoritë që do të përfitojnë nga amnistia e detyrimeve?

Nuk është amnisti, është një ligj që ofron një lehtësi për të paguar detyrimin kundrejt heqjes apo fshirjes së gjobës dhe pastrimin e regjistrave për detyrimet tatimore e doganore para vitit 2010. Konkretisht, detyrimet që kanë subjektet para vitit 2010 do të fshihen, sepse janë detyrime të vjetra, edhe pse për to në pjesën dërrmuese janë marrë masat shtrënguese për një periudhë shumë të gjatë deri në 5 vjet, por për shumë arsye nuk është bërë i mundur arkëtimi i detyrimeve.

Ka një afat ligjor deri në 5 vjet që administrata fiskale ka të drejtë të zbatojë masa shtrënguese të mbledhjes me forcë të detyrimit, pas këtij afati nuk mund të zbatohet masa shtrënguese për mbledhjen me forcë. Kjo pasi, në sistemet tatimore do të ketë vazhdimisht tatimpagues që, për shumë arsye, nuk mund të paguajnë detyrimet në kohë. Por, në mbledhjen e tatimeve ka disa parime, si ajo për të mbledhur më parë detyrimin e ri se atë të vjetër, pasi ka më shumë shanse që të mblidhet. Përparësi është edhe mbledhja e detyrimeve në shuma të mëdha, sepse ka më efektivitet. Ndërsa për detyrimet e biznesit, që i përkasin periudhës nga 1 janari 2011 deri në dhjetor të 2014, kërkohet pagimi i plotë i detyrimit, me kusht që të hiqet gjoba dhe interesat që lidhen me të.

Si do të fshihen detyrimet dhe gjobat për makinat, dhe cilat janë kategoritë që përfitojnë?

Nëse një përdorues automjeti e ka paguar taksën, apo ka bërë kolaudimin e mjetit deri më 31 dhjetor 2011 dhe nuk ka paguar taksat për vitet e tjera, në këtë rast këto mjete mund të çregjistrohen nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor pa i kërkuar pronarit të mjetit që të paguajë taksat e papaguara për vitet 2012 e në vijim. Qytetarëve u është lënë afat të paraqiten brenda 6 muajve, në rast të kundërt çregjistrimi do të kryhet nga drejtoria e Regjistrimit të Mjeteve.

Krahas fshirjes automatike që do të bëhet për këtë kategori është lënë opsioni që vetë pronari të shkojë të dorëzojë targat e mjetit dhe të mos paguajë asnjë detyrim për vitin 2012 e në vazhdim. Opsioni tjetër është, nëse përdoruesi i mjetit nuk ka paguar taksat pas vitit 2011, në rast se ai kërkon të mbajë mjetin në qarkullim duhet vetëm të paguajë taksën për vitet 2012, 2013, 2014 dhe deri sot, dhe nuk do të ngarkohet me gjoba dhe penalitete për këtë periudhë.

Sa është në total shumë e detyrimeve dhe gjobave që do të fshihen?

Llogariten rreth 22 miliardë lekë që do të fshihen nga regjistrat e administratës fiskale. Për faljen me kusht, potencialisht do të arkëtoheshin 32 miliardë lekë që është shuma e taksës dhe pjesa e gjobave që do të falen lidhur me këtë detyrim është rreth 90 miliardë lekë. Ndërsa detyrimet e viteve 2015 dhe 2016, nuk janë objekt i këtij ligji. Kemi parashikuar vetëm heqjen e gjobave për mosdeklarimin në kohë nga biznesi i vogël i të punë- suarve. Gjithashtu do të hiqen të gjitha gjobat që janë vendosur në bazë të neneve të ligjit të procedurave tatimore, të cilat u rrëzuan nga Gjykata Kushtetuese, do të jenë objekt i ligjit të faljes.

Fondi Monetar Ndërkombëtar përsërit vendosjen e taksës së pronës bazuar në vlerën e tregut. Nga ana e Ministrisë së Financave, a ka nisur puna për ngritjen e kadastrës fiskale?

Ne jemi në procesin e zhvillimit të infrastrukturës dhe procedurës së ngritjes së kadastrës fiskale. Çdo vend ka një hartë të vlerës së pronës dhe Kosova është shumë përpara me këtë proces. Për këtë arsye, ne do të marrim shembullin e Kosovës për të krijuar kadastrën fiskale. Për këtë vit po punojmë me disa projekte pilote, që janë më të avancuara për vendosjen e vlerës së pronës për çdo pasuri. Projekti pilot përfshin qytetet e Korçës, Tiranës, Fierin dhe Durrësin.

Jemi në hapat e parë për të krijuar një sistem me vlerën dhe hartën e vlerës së pronës, që në një fazë të dytë të mund të shihet mundësia për të vendosur një sistem taksimi mbi bazën e vlerës dhe jo mbi bazën e metrave katrorë, i cili do të jetë më i drejtë dhe më i saktë, sepse vlera më e lartë e prone në qendër të qytetit do të gjenerojë një taksë më të lartë, krahasuar me një pronë në zonat periferike.

DORINA AZO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura