Flet drejtoresha/ Nis legalizimi i pallateve, 30 ditë afat për hipotekën

Feb 13, 2017 | 17:00
SHPËRNDAJE

Pas zyrtarizimit të vendimit që i hap rrugë hipotekimit të 1320 pallateve në të gjithë vendin, drejtoritë e ALUIZNI-t kanë nisur nga puna. Besa Spaho, drejtoresha e ALUIZNI-t Tirana-jug, sqaron të gjithë praktikën që do të ndiqet nga fillimi deri në finalizimin e këtij procesi të rëndësishëm, që do t’u japë mundësinë 30 mijë familjeve që të marrin në dorë hipotekën.

besa spaho

Faza e parë do të dërgojë përgjegjësinë tek investitorët. Këta të fundit do të kenë 30 ditë afat për të përmbushur detyrimet ligjore. Nëse kjo nuk ndodh, pohon Spaho, atëherë do të jenë qytetarët ata të cilët do të marrin në duar fatin e tyre, duke depozituar pranë zyrave të agjencisë kontratën e shitblerjes që kanë firmosur me firmën e ndërtimit. Kjo procedurë nuk do të sjellë zerim apo fshirje të faturave për ndërtuesit. Këta të fundit do të përballen me to, ajo që ka ndodhur është se këto detyrime të pashlyera nuk do të bllokojnë më procesin për qytetarët.

“Nëse brenda 30 ditëve subjektet ndërtuese nuk kthejnë përgjigje dhe nuk shfaqin interes për ta përmbyllur procesin, e gjithë praktika vazhdon në emër të banorëve. Pra, në bazë të kontratave të shitblerjes që banorët kanë lidhur me firmën dhe që duhet t’i dorëzojnë pranë zyrave të ALUIZNI-t, lejet e legalizimit do të dalin për njësi, pra në emër të banorëve”, thekson Spaho. Sipas saj, dy janë tipologjitë kryesore të problematikave të konstatuara. Së pari, bëhet fjalë për ndërtuesit që kanë shkelur lejen e ndërtimit, kanë bërë shtesa anësore ose në lartësi, dhe për këto arsye e kanë të pamundur pajisjen e qytetarëve me certifikata pronësie dhe kategoria tjetër po e madhe janë subjektet që kanë ndërtuar pa pasur asnjë dokument.

Në fillim të këtij viti, Qeveria miratoi një vendim të rëndësishëm, që i hap rrugë hipotekimit të 1320 pallateve. A ka nisur zbatimi i vendimit?

Kërkesat e pafundme nga qytetarët në sportele bënë që të hartohej dhe miratohej vendimi numër 19, ose VKM e pallateve. Qytetarë të shumtë që kishin blerë shtëpi, po gjithsesi ishin pa shtëpi, pa një dokument që vërtetonte një fakt të tillë, pra pa certifikatë pronësie. E gjithë kjo sepse firma ndërtuese kishte bërë shkelje nga leja e marrë në atë kohë ose sepse kjo firmë nuk kishte më interes të ndiqte procedurat për finalizimin e procesit. Hartimi dhe miratimi i vendimit “Për përcaktimin e rregullave të legalizimit të objekteve me leje ndërtimi, në të cilat janë kryer shtesa anësore ose në lartësi, ose ndryshime të funksionit të hapësirave dhe të objekteve shumëkatëshe pa leje, të destinuara për kalimin e të drejtës së pronësisë, apo qiradhënien” zgjidhi ngërçin më të madh për këtë kategori njerëzish. Me rregullat e reja që kanë hyrë në fuqi, është ALUIZNI ai i cili do përfundojë procedurat e lëna përgjysmë nga firmat ndërtuese dhe do t’i japë qytetarit dokumentin më të rëndësishëm për pronën e tyre, certifikatën e pronësisë. Aktualisht, në të gjitha drejtoritë e ALUZNI-t ka nisur zbatimi i VKM-së dhe shume shpejt qytetarët do të njoftohen më tej për vazhdimin e procedurave.

Si po veprohet konkretisht? Pra, cila është zgjidhja për secilën nga kategoritë që preken nga vendimi?

VKM-ja e pallateve përmbledh 2 kategori të mëdha, subjekte që kanë shkelur lejen e ndërtimit kanë bërë shtesa anësore ose në lartësi dhe për këto arsye e kanë të pamundur pajisjen e qytetarëve me certifikata pronësie dhe kategoria tjetër po e madhe janë subjektet që kanë ndërtuar pa leje ndërtimi. Ne i kemi të evidentuara rastet sipas kategorive më sipër, por gjithsesi janë bashkitë apo njësitë administrative që na e përcjellin një informacion të saktë mbi to. E gjithë puna fillon me njoftimin zyrtar që zyrat e ALUIZNI-t u bëjnë subjekteve ndërtuese, ku u bëhen me dije detyrimet që kanë për përmbylljen e procesit të legalizimit të objekteve që vetë ata i kanë ndërtuar dhe shitur në këtë formë. Nëse brenda 30 ditëve subjektet ndërtuese nuk kthejnë përgjigje dhe nuk shfaqin interes për ta përmbyllur procesin, e gjithë praktika vazhdon në emër të banorëve. Pra, në bazë të kontratave të shitblerjes që banorët kanë lidhur me firmën dhe që duhet t’i dorëzojnë pranë zyrave të ALUIZNI-t, lejet e legalizimit do të dalin për njësi, pra në emër të banorëve. Bëhet albumi i plotë i njësive në emër të tyre dhe po kështu dërgohet në Hipotekë për regjistrim. Ndërkohë për të gjitha detyrimet që ka firma ndërtuese vihen në dijeni organet kompetente.

Në momentin kur “stafeta” kalon te qytetarët, çfarë detyrimesh do të kenë këta të fundit?

Ky është një proces, i cili do të ndiqet nga ALUIZNI. Qytetarët janë të zhveshur nga detyrimet financiare, pra nuk do të ketë asnjë kosto për ta. E vetmja gjë që kërkohet prej tyre është fakti që të jenë sa më bashkëpunues në momentet që trajtohet praktika, për ta përmbyllur sa më parë procesin.

Për t’u kthyer te procesi i legalizimit në tërësi, si po ecën?

Procesi i legalizimit në tërësinë e vet po ecën me hapa shumë të shpejtë. Siç edhe është raportuar, të gjitha drejtoritë e ALUIZNI-t e tejkaluan normën e vendosur nga Kryeministri i vendit me 110.000 leje legalizimi. Me po këto ritme po vazhdojmë të ecim. Përparësi kanë pallatet, qytetarët që kanë lidhur shumë kohë më parë kontrata shitblerjeje me subjektet ndërtuese kanë qenë ata që kanë pasur interes më të madh në sportelet tona, duke kërkuar herë pas here informacion se çfarë do të bëhej me ta. VKM-ja nr. 19 u erdhi në ndihmë shumë familjeve në të gjithë Shqipërinë, duke zgjidhur njëherë e mirë ngërçin e krijuar.

Për sa u takon afateve, kur parashikohet të përfundojë ky proces?

Për të folur se kur mund të përfundojë procesi, vlen të theksohet fakti se deri në fund të mandatit qeverisës do të përmbyllet procesi i legalizimit brenda zonave informale të miratuara. Më tej do të vazhdohet me urbanizimin e këtyre zonave. Ne vazhdojmë të punojmë në zonat informale me hapa të shpejtë.

ADA HAZIZOLLI/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura