Flamurtari e Vllaznia, luhet për 180 mijë euro

Jun 30, 2011 | 11:13
SHPËRNDAJE

Janë minimalisht 180 mijë euro në valle. Themi minimalisht, pasi vetëm nga pjesëmarrja në Ligën e Europës si Flamurtari dhe Vllaznia do të përfitojnë nga 90 mijë euro secili, të ardhura këto që vijnë nga UEFA.Por në rast të kalimit të turit, atëherë secila skuadër do të përfitojë edhe dyfishin e shumës së mësipërme. Kështu, me një llogari të thjeshtë, nëse Vllaznia do të eliminojë maltezët e Birkinkarës, çka është teorikisht e mundshme, atëherë në arkën e këtij klubi do të shkojnë edhe 90 mijë euro të tjera. E njëjta gjë edhe për Flamurtarin, nëse vlonjatët do të mund të eliminojnë në turin e parë malazezët e Buduçnostit.
Përfitimet – UEFA cakton para fillimit të çdo sezoni në kompeticoinet europiane të gjitha të ardhurat dhe bonuset që do t’u shpërndajë skuadra pjesëmarrëse dhe deri te ajo që do të fitojë në fund kompeticionin. Kështu, nëse një skuadër luan që nga turi i parë eliminator dhe arrin të shkojë deri në fazën e grupeve, atëherë sipas të dhënave të UEFA-s do të marrë të paktën 450 mijë euro. Menjëherë sapo kjo skuadër shortohet në ndeshjet në grup, në arkat e saj shkojnë 640.000 euro të tjera, duke shtuar më pas edhe një bonus prej 60.000 eurosh për çdo ndeshje të luajtur, pavarësisht rezultatit. Më pas, për çdo fitore në ndeshjet në grup, ekipi përfiton 140.000 euro dhe për çdo barazim 70.000 euro. Ndërkaq, arritja në finale do të thotë që secili finalist të ketë futur në xhep veç të ardhurave të mësipërme edhe 1.600.000 euro. Në finale, fituesi i kompeticionit merr 3.000.000 euro, ndërsa humbësi 2.000.000 euro.
Shqiptaret – Ndërkaq, përveç fitimeve të sigurta që vijnë nga UEFA, ekipet shqiptare të paktën në vitet e fundit janë munduar që të sigurojnë edhe ndonjë kontratë të së drejtës televizive. Por kjo gjë ka ndodhur vetëm në rastet kur shorti i ka vënë ekipet përballë skuadrave të njohura në arenën ndërkombëtare dhe me financa të shëndosha. Një fat të tillë pati vjet Besa e Bizhdilit, e cila përfitoi gati 100 mijë euro nga e drejta TV për ndeshjen me Olimpiakosin, po ashtu edhe Vllaznia kur luajti para dy vitesh ndaj Napolit dhe më pas ndaj Rapidit të Vjenës. Ndërkaq, duhet thënë se dhënia e parave nga ana e UEFA për pjesëmarrje në kompeticionet europiane jepet (sidomos për skuadrat e vendeve inferiore ku futet dhe Shqipëria) me qëllim që këto ekipe të kenë mundësi t’i përdorin ato për fazën përgatitore dhe akomodimin. Paradoksal është fakti se këto të ardhura nga Federata Shqiptare e Futbollit përgjithësisht jepen në fund të vitit, atëherë kur normalisht ekipet tona janë eliminuar.
Skënderbeu & Tirana – E nëse Vllaznia e Flamurtari do të mundohen të kalojnë turin e parë për të rifituar financat që do marrin nga UEFA, Skënderbeu dhe Tirana këtë gjë e kanë të zgjidhur në bazë të formulës. Kështu, si korçarët edhe kryeqytetasit marrin pjesë që nga turi i dytë në kompeticionet europiane, çka do të thotë që përfitojnë më shumë financiarisht. Skënderbeu do të marrë minimalisht 230 mijë euro nga UEFA (130 mijë për pjesëmarrjen dhe 100 mijë për kalimin e turit). Kështu, edhe nëse eliminohet nga Apoel, bardhekuqtë do përfitojnë shumë nga pjesëmarrja në Champions. Ndërsa Tirana do të përfitojë 180 mijë euro: 90 mijë nga pjesëmarrja në Ligën e Europës dhe 90 mijë për kalimin e turit të parë. Por, duke qenë se në bazë të formulës bardheblutë luajnë direkt në turin e dytë, kjo do të thotë që edhe nëse eliminohen në këtë tur, ata do marrin të paktën 180 mijë euro nga UEFA.

Transmetimi

Asnjë kanal televiziv në Shqipëri nuk ka mundur të blejë të drejtën televizive për ndeshjen e Vllaznisë në Maltë ndaj Birkinkarës. Sipas informacioneve, ky takim nuk do të transmetohet për publikun shqiptar. Kështu, e vetmja mënyrë për të mësuar mbi ecurinë e ekipit shkodran në 90 minutat e mbrëmjes së sotme është interneti dhe informacionet e pakta që mund të merren live nëpërmjet tij. Tjetër gjë për Flamurtarin, ndeshje e cila ndaj Buduçnostit do të transmetohet live nga TVSH-ja.

Renditja

Humbja 2-0 në Bosnjë dhe ajo 4-0 në miqësoren me Argjentinën i ka kushtuar 9 vende Kombëtares shqiptare, e cila në renditjen e FIFA-s për muajin qershor ka zbritur në vendin e 59-të. Për herë të parë në historinë e vet, Kombëtarja shqiptare, që drejtohet nga kroati Kuzhe, arriti të pozicionohej e 50-ta në renditjen e FIFA-s, vend të cilin e mbajti vetëm për 2 muaj. Ndërkohë, kreu i renditjes nuk ka ndryshuar edhe për këtë muaj. Kampionia e botës në fuqi, Spanja dhe nënkampionët e Holandës, mbajnë dy vendet e para. Në vendin e tretë është ngjitur përfaqësuesja gjermane, ajo braziliane në vendin e 5-të. Pas saj vjen Italia e Prandelit, e cila synon gjithnjë e më shumë tri vendet e para të renditjes së FIFA-s.

 

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura