Fierakët: Bisedë miqësore me vajzat

Jul 31, 2013 | 9:45
SHPËRNDAJE

Viktimat: Serdi Bajlozi dhe Sokol Isufaj
Merren në pyetje në Policinë e Vlorës. “Osmeni i tha shokut: Nxirr automatikun, futja me armë”

Djemtë e shënjestrës së krimit: Nuk quhet ngacmim komplimenti

“Nxirr automatikun, futja me armë”. Kjo është thirrja e Leo Osmenit ndaj shokut të tij, Delin Hajdaraj, në momentin që janë përballur me pesë të rinjtë fierakë në plazhin “Kalaja”.  Të paktën kjo është dëshmia e të rinjve fierakë dhënë në Policinë e Vlorës në lidhje me masakrën që ndodhi tri ditë më parë.
Ata kanë rrëfyer sekondat e tmerrit të breshërisë së armës vetëm pse tentuan të futeshin në bisedë me një grup vajzash, thuajse bashkëmoshatare me ta, me të cilat kishin rastisur ngjitur me shezlongë ditën e ngjarjes. Burime të Policisë bënë të ditur se asnjëri prej djemve nuk ka pranuar të ketë ngacmuar vajzat, por vetëm se i kishin komplimentuar ato dhe më pas kishin tentuar të futeshin në bisedë. Njëri prej djemve është marrë në pyetje që natën e krimit, ndërsa tre prej tyre pasditen e djeshme. I pesti pritet të pyetet në vijim, ndoshta sot. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se dëshmia e tyre në lidhje me motivin e krimit përputhet me atë të dhënë nga i arrestuari, por edhe dëshmitarë të tjerë të ngjarjes. “Njëri nga autorët erdhi dhe na akuzoi se i kishim ngacmuar motrën. Në fakt, ne nuk ngacmuam asnjërën prej tyre. Nuk mund të quhet ngacmim një kompliment. Ne thjesht biseduam me to, bisedë normale që mund të bëhet në plazh. Më pas u kërkuam numrat e telefonit dhe i pyetëm nëse mund të bëheshim miq në facebook. Kjo ishte e gjitha”. Kështu kanë deklaruar të rinjtë fierakë në Policinë e Vlorës. Ata kanë rrëfyer edhe momentet në përplasjen me dy vlonjatët. “Leo Osmeni ishte bashkë me personin tjetër, që kishte edhe armën të fshehur nën bluzë. Ai fillimisht erdhi për t’u zënë me grushte, madje njëri prej nesh u shty me të për t’u vetëmbrojtur. Por, kur ai e pa se nuk na e dilte dot me dhunë, pasi ne ishim pesë veta dhe ata vetëm dy, atëherë i tha me zë të lartë dhe urdhërues shokut të tij: nxirr automatikun, futja me armë. Ai e zbatoi menjëherë urdhrin. Por në momentin që ne e pamë skenën, ia mbathëm vrapit mes çadrave. Më pas u shtrimë barkas, kur nisi breshëria. Kemi parë tmerr me sy”, janë shprehur më tej katër djemtë fierakë në Policinë e Vlorës. Ata janë marrë në pyetje për disa orë dhe në asnjë moment nuk kanë pranuar ngacmim dhe fyerje kundrejt vajzave. Policia bëri të ditur se pasi janë pyetur, ata do të lihen të lirë, për shkak se ndaj tyre nuk rëndon asnjë vepër penale. Veprimet e të rinjve nuk rezultojnë të bien ndesh me ligjin, e, për pasojë, ata nuk mund të akuzohen.
17-vjeçari Bajlozi nga Përrenjasi kishte ardhur për pushime bashkë me të motrën te halla e tij në Vlorë. Më 1 gusht, ai do të mbushte 18 vjeç, por u vra nga një plumb rikoshetë në kokë. Sokol Isufaj, 34 vjeç, babai i dy fëmijëve nga Fieri, u vra gjithashtu nga një plumb rikoshetë në kraharor. Ai ishte në shezlong bashkë me një shok të fëmijërisë që kishte ardhur nga Italia dhe kishin vendosur të bënin ca ditë pushime së bashku në Vlorë. Viktima e tretë, Diana Ademi, kishte ardhur në Vlorë tek i vëllai një javë më parë. Ajo jetonte prej vitesh në Gjemani dhe do të largohej pas pak ditësh.

Leo Osmeni, sot në Gjykatë
Sot pritet të dalë në Gjykatë i arrestuari Leo Osmeni, të cilit do t’i komunikohet masa e sigurisë. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se do t’i kërkohet trupit gjykues masa e sigurisë “arrest me burg” për 18-vjeçarin, i cili ka nxitur dhe urdhëruar që të qëllohej me armë në drejtim të pushuesve. Ai konsiderohet si autori kryesor i ngjarjes, për shkak se ka nxitur dhe urdhëruar masakrën që shkaktoi vrasjen e tri viktimave të pafajshme, të cilët nuk kishin asnjë lidhje me autorët dhe as me shënjestrën.

Autori që qëlloi, ende në kërkim
Policia po punon për kapjen e autorit të dyshuar, Delin Hajdaraj, banues në lagjen “1 Maji” të Vlorës. Deri më tani janë kryer kontrolle banesash të të afërmve dhe shokëve të tij, ku dyshohet se ai mund të strehohet, por ende nuk ka asnjë gjurmë. Në ndihmë të Policisë së Vlorës janë vënë edhe forcat speciale RENEA nga Tirana, si edhe ato të FNSH-së së Fierit. Gjithashtu, blutë kanë marrë në pyetje edhe familjarë të të kërkuarit, ndërsa u është kërkuar ndonjë negociatë e mundshme, në mënyrë që autori të vetëdorëzohet.

VLORE/ QEMAL BIRAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura