Fier, prefektura, grup kontrolli për objektet e pasigurta

Feb 26, 2011 | 12:27
SHPËRNDAJE

FIER – Masa të rrepta ndëshkimore nga ana e Prefekturës Fier jo vetëm për ndërtesat e vjetra por edhe ato të reja që vënë në rrezik jetën e qytetarëve. Ky institucion ka organizuar një plan masash, për të ndërmarrë kontroll, në të gjithë sektorët privatë dhe shtetërore që kanë si pjesë të punës së tyre materiale dhe lëndë të rrezikshme dhe që i magazinojnë ato jashtë çdo parametri mbrojtës. Përgjegjësi i emergjencave civile në Prefekturën e Fierit, Viron Balla, jo vetëm që shpreh projektin dhe zbatueshmërinë e këtij plani masash, por pranon disa nga rreziqet e mëdha që i kanosen aktualisht qytetit të Fierit dhe banorëve. “Ne do të bëjmë kontrolle nëpër ndërtimet e vjetra dhe të reja, ku do të përcaktojmë rrezikun që u vjen banorëve prej gabimeve në ndërhyrjet në ndërtim”, ka thënë Balla. Shkelja e kushteve teknike në ndërtim, ndërhyrja në themele, katet e para, vendosja pa kriter e paneleve, depozitave të ujit mbi çati dhe tarracë. “Problem për Fierin mbetet magazinimi i lëndëve të rrezikshme jashtë çdo lloj kriteri sigurie, si për industrinë private, ashtu edhe për atë shtetërore”, ka veçuar në deklaratën e tij shefi i emergjencave civile, Balla. Sipas tij, me këtë plan masash do të njihen të gjitha institucionet shtetërore, por edhe ato private, që do të pasohen me kontrolle intensive dhe të papritura nga strukturat e posaçme. Qëllimi i kësaj nisme mjaft të domosdoshme është parandalimi i katastrofave që kanë si shkaktar pikërisht pakujdesinë e dorës njerëzore dhe neglizhencën e mjaft institucioneve për të parë kushtet teknike ku punohet dhe sigurinë e njerëzve.                                      m.r

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura