Festë në Himarë, Gjergj Goro nis detyrën e kryebashkiakut

Jun 30, 2011 | 10:58
SHPËRNDAJE
Kryebashkiaku Gjergji Goro, duke festuar bashkë me kreun e sapozgjedhur të Këshillit Bashkiak

Pas rreth 2 muajsh nga zgjedhjet e 9 majit, kryebashkiaku socialist i Himarës nis zyrtarisht detyrën.Gjergji Goro, i cili fitoi nën siglën e “Aleancës për të ardhmen” ndaj Vasil Bollanos të PBDNJ-së, që prej ditës së djeshme ka nisur punën, pas 8 vitesh nga drejtimi i kandidatit të partisë së minoritetit grek.
Ditën e djeshme është bërë dorëzimi i detyrës nga ana e kreut të Bashkisë së Himarës nga Bollano te Goro. Pas ceremonisë së dorëzimit, të dy ish-rivalët i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit. Gjithçka ka qenë një festë dje në Himarë, me tortë, shampanjë dhe një drekë e shtruar me këtë rast, ku të pranishëm kanë qenë deputetë të Partisë Socialiste të ardhur nga Tirana. Po dje, është bërë edhe konstituimi i Këshillit Bashkiak të Himarës, ku ashtu si dhe kreun e Bashkisë, edhe këtë Këshill me shumicë votash e ka fituar PS-ja, me kandidatin Stefan Kokëdhima. Demokratët dhe socialistët janë bërë bashkë, me mbështetjen e aleatëve për të siguruar 11 vota kundrejt 6 të PBDNJ-së, duke bërë që edhe nënkryetari i Këshillit të jetë i PS-së, ndërsa këshilltarët e qarkut nga PD dhe PS. Gjatë kësaj mbledhjeje ishin të pranishëm edhe prefekti i Vlorës, Eduart Veçani, deputetët e PS-së, Fatmir Toçi e Kujtim Sulçe, si dhe Ardian Kollozi i PD-së. Prefekti Veçani u shpreh se ky konstituim është bërë në procedura shumë normale dhe u dorëzua mandati i këshilltarëve të Bashkisë së Himarës, i ndarë në tre grupime: Aleanca për të Ardhmen me 7 këshilltarë, PBDNJ-ja me 6 këshilltarë dhe Aleanca për Qytetarin me 4. Sipas prefektit Veçani, kjo ka qenë një ceremoni shumë miqësore, bashkëpunuese. Për këshilltarët e këtij këshilli prefekti Veçani ka thënë se duhet të ketë bashkëpunim. “Zgjedhjet tashmë kanë mbaruar dhe në si qark i Vlorës duhet të punojmë për të rregulluar dhe zgjidhur problemet e popullit të Vlorës dhe Himarës”. Të gjitha procedurat janë kryer në mënyrë të qetë dhe nën himnin kombëtar, si dhe me flamuj shqiptarë, dhe nuk është shënuar asnjë incident. Në fund të ditës, kryebashkiaku i ri ka mbledhur simpatizantët e tij dhe deputetët e PS-së në një drekë të përbashkët në qytetin e Himarës.

 

HIMARE/ QEMAL BIRAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura