Festa greke, shkelen sërish varret e fshatit Boboshticë

Oct 31, 2011 | 12:00
SHPËRNDAJE
Homazhet e djeshme në Boboshticë në nder të 2 ushtarëve grekë

Pjesëmarrësit e festës greke të çlirimit shkelin sërish varret e vjetra të Boboshticës. Një vit pas skandalit të betonizimit të varreve 200-vjeçare në fshatin Bobobshticë të Korçës, është zhvilluar sërish ceremonia në të cilën nderohen edhe dy ushtarë të rënë grekë. Betonizimi u bë me fondet e OMONIA-s me argumentin se duhej një rrugë në mes të varrezave, me qëllim që vizitorët e memorialit të mos shkelnin në to. Por, ndonëse është bërë rruga e betonizuar, sërish varret nuk i kanë shpëtuar shkeljes nga pjesëmarrësit, shumica të ardhur me autobusë nga Greqia. Një vit më parë, betonizimi i eshtrave solli reagime të ashpra të banorëve të Boboshticës, e deri në djegien e kurorave të vendosura në memorialin e dy ushtarëve grekë. Ndërsa ditën e djeshme, në fshatin Boboshticë ka qenë një ditë e zakonshme. Banorët nuk reaguan, ndonëse varret u shkelën dhe askush nuk i respektoi ato.
Festa u kremtua atje ku mendohet se banorët vite më parë varrosën 2 ushtarë grekë, të rënë në luftën e vitit 1941. Ceremonia fetare është mbajtur në varret 200-vjeçare të fshatit gjatë paradites së djeshme, në nderim të ushtarëve grekë të rënë në luftën italo -greke. Përfaqësuesit më të lartë të minoritetit grek për qarkun e Korçës, si Organizata “OMONIA”, konsullata greke, por edhe dhjetëra vizitorë, kanë mbërritur nga shteti grek enkas për të mbajtur homazhet me rastin e kësaj feste. Tre autobusë të mbushur përplot, por edhe dhjetëra makina, janë ndalur në këtë fshat. Vizitorët, por edhe përfaqësues të organizatave të ndryshme, vendosën kurora të shumta lulesh pranë memorialit të ndërtuar në varret e vjetra të këtij fshati. Fillimisht për të gjithë të pranishmit ceremonia nisi me mbajtjen e meshës nga imzot Johan Trebicka në Manastirin e Shën Mërisë, ku ndodhen edhe varret. Mesha është bërë e gjitha në gjuhën greke. Më tej, pjesëmarrësit e kësaj ceremonie i janë drejtuar memorialit të ndërtuar mbi varret e fshatit një vit më parë. Të gjithë kremtuesit, të cilët përveçse lanë kurora mbi memorial, kanë shkelur edhe mbi varret e boboshtarëve, kanë kënduar gjithashtu himnin grek dhe më tej kanë nderuar me një minutë heshtje të gjithë të rënët në luftën italo-greke. Pavarësisht faktit se me largimin e Ikonomus në drejtim të konsullatës greke nuk ka asnjë diplomat, sërish përfaqësues të saj kanë vendosur tek memoriali kurora dafine me shirita në ngjyrë të bardhë dhe të kaltër, si dhe mbishkrime në gjuhën greke. Pjesëmarrja e dhjetëra personave në këtë ceremoni ka bërë që ata jo vetëm të qëndrojnë mbi memorialin e ndërtuar një vit më parë enkas për këtë festë, por të shkelin edhe mbi ata që sipas banorëve janë varret ku ndodhen eshtrat e gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre shqiptarë.

Festa e grekëve, radhë në Kapshticë
Festa e Çlirimit të Greqisë ka sjellë ndikimin e saj edhe në pikën doganore të Kapshticës, ku puna me ritme të ngadalta shkaktoi bllokimin për orë të tëra të emigrantëve në kufi. Ashtu si çdo të diel, ku numri i emigrantëve në dalje është disi më i lartë, dje në orët e mesditës u shënua mbingarkesë në këtë pikë doganore duke risjellë rishtazi edhe radhët. Shkak i qëndrimit të automjeteve në dy korsi është bërë puna me vetëm një sportel nga pala greke, gjë që ka krijuar pamundësinë e menaxhimit të situatës. Orët e drekës dhe pasditja, ku regjistrohet piku i hyrje-daljeve, shënuan kilometra makinash në pritje dhe dhjetëra qytetarë apo emigrantë që kanë qëndruar në radhë për një kohë të gjatë, para se të mund t’u afroheshin sporteleve për përpunimin e dokumentacionit.

Gjykata dënoi kreun e OMONIA-s për memorialin
Ndërtimi i shkallares dhe zgjerimi i bazamentit ku ishte vendosur kryqi si memorial për ushtarët grekë, solli reagime të ashpra të banorëve të Boboshticës. Rasti u hetua nga Prokuroria dhe rezultoi se ndërtimi ishte pa leje dhe i financuar nga organizata OMONIA dhe Konsullata greke në Korçë. Të pandehur për ndërtimin pa leje dhe dhunimin e varreve u sollën nga Prokuroria kryetari i organizatës OMONIA, Naum Disho dhe punëtorët Alqi Kororveshi e Luan Zaçe. Disho u dënua me një vit burg, por e ka apeluar çështjen, ndërsa dy punëtorët kanë marrë dënim me kusht.

KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura