Festa e Pavarësisë, 85 persona në urgjencë

Nov 30, 2012 | 11:55
SHPËRNDAJE

Mjekët: Asnjë i helmuar nga torta, por me komplikacione nga alkooli.

Festimet për 100-vjetorin e pavarësisë kanë çuar në urgjencë plot 85 persona. Prej tyre 60 janë paraqitur në Urgjencën rajonale të Tiranës, ndërsa pjesa tjetër në spitalin “Nënë Tereza”. Nga sa konfirmojnë bluzat e bardha, nuk ka pasur raste helmimi për shkak të tortës gjigante apo konsumit të produkteve të tjera ushqimore. “Pjesa më e madhe e të sëmurëve kanë ardhur në urgjencë për shkak të asfiksimit nga turma deri pasdite. Në mbrëmje pati një shtim të personave, të cilët u paraqitën me probleme për shkak të konsumit të lartë të alkoolit”, thanë mjekët e Urgjencës së Tiranës. Sipas tyre, një pjesë e pacientëve janë trajtuar me serume për disa orë dhe janë larguar më pas drejt shtëpive. “Nuk kemi pasur raste të rënda”, thanë mjekët. Për të përballuar fluksin dhe, në anën tjetër, për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve të lënduar, spitalet, urgjencat në të gjithë vendin ishin në gatishmëri të plotë. Bluzat e bardha sqaruan se në disa raste autoambulancat e kanë pasur të vështirë transportin e pacientëve për shkak të rrugëve të bllokuara. Po kështu, një pjesë e qytetarëve nuk kanë pritur ambulancën, por janë paraqitur në urgjencë me automjetet e tyre.

Festimet e 100 vjetorit, sherre mes të rinjve tek ish-Blloku
TIRANE – Festimet me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, përveç 7 sherreve të dhunshme mes të rinjsh, nuk u shoqëruan me asnjë ngjarje tjetër kriminale. Për shkak të grupeve të shumta me të rinj, kryesisht në lokalet e zonës së ish-Bllokut, Policia e Tiranës është njoftuar nëpërmjet sallës operative për disa incidente, të cilat janë mbyllur pa probleme. Burimet thanë se masat e sigurisë, që mori Policia me këtë rast, funksionuan më së miri, por ndonjë incident ishte i pashmangshëm. Kryesisht kanë qenë të rinjtë që shkaktuan disa probleme, edhe për shkak të konsumimit të pijeve alkoolike, por me ndërhyrjen e patrullave të rendit, sherret u mbyllën pa probleme, pa persona të arrestuar dhe pa të plagosur. Vetëm në një rast, që mund të konsiderohet si incidenti më i rëndë, një person ka qëlluar me armë zjarri, në afërsi të një karburanti në zonën e ish-Bllokut. Burime nga Policia thanë se ky person është identifikuar dhe është Edmond F., 34 vjeç, nga Mamurrasi, i shpallur në kërkim nga Policia dhe po punohet për kapjen e tij. Ndërsa në qarkullimin rrugor nuk ka pasur aksidente me pasoja të rënda, përveç tri rasteve gjatë orëve të vona të natës, që sipas Policisë Rrugore, përveç dëmeve materiale, nuk kanë pasur pasoja në njerëz.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura