Fëmijët, 87% e dhëmbëve të prishur e të pamjekuar

Mar 31, 2014 | 12:50
SHPËRNDAJE

Prindërit nuk tregojnë kujdesin e duhur për shëndetin oral të fëmijëve, çka ka bërë që pjesa më e madhe e tyre të kenë probleme me prishjen e dhëmbëve që në moshë të vogël.
Specialistja e Shërbimit Stomatologjik Publik, Oriana Tamburi, thotë se si paraqitet situata me fëmijët e moshës shkollore në Tiranë, ndërsa jep edhe këshillat që duhet të kenë parasysh prindërit që fëmijët e tyre të kenë një higjienë të mirë orale.
Çfarë është prishja e dhëmbëve dhe nga se shkaktohet?
Prishja e dhëmbëve është një sëmundje kronike pandemike, që fillon qysh në fëmijërinë e hershme dhe e shoqëron një individ gjatë gjithë jetës. Të dhënat statistikore të OBSH-së tregojnë se 60-90 % e fëmijëve të moshës shkollore në të gjithë botën janë të prekur nga kjo sëmundje. Shkaktari kryesor i sëmundjes janë bakteret që gjenden në gojën e njeriut, të cilat ushqehen me sheqernat në përbërje të mbeturinave ushqimore dhe formojnë acidet që nisin procesin e shkrirjes së indeve të forta dhëmbore. Procesi mund të ngadalësohet, të ndërpritet ose edhe të rikthehet në çdo moment nëse eliminohen mbeturinat ushqimore përmes një higjiene korrekte të gojës (larja e dhëmbëve të paktën dy herë në ditë, përdorimi i fillit dentar, përdorimi i pastave me fluor) apo nëse nuk konsumohen shumë ushqimet e ëmbla, veçanërisht jo ndërmjet vakteve. Marrja e fluorit nga goja me anë të tabletave apo pikave, trajtimi i dhëmbëve me fluor nga mjekët stomatologë, gjithashtu parandalojnë prishjen e dhëmbëve. Përdorimi i solucioneve antibakteriale, duke shkatërruar bakteret e pranishme në gojë, ka rezultuar të jetë gjithashtu një mënyrë efikase parandalimi.
Shëndeti oral shpesh neglizhohet sidomos te moshat e vogla, si paraqitet situata për fëmijët e Tiranës?
Shërbimi Stomatologjik Publik i Tiranës ka bërë studime mbi shtrirjen e prishjes së dhëmbëve në moshat 6 dhe 12 vjeç, sikurse edhe mbi ashpërsinë e saj. Sipas studimeve të viteve 2012-2013, te fëmijët 6-vjeçarë të rajonit të Tiranës kemi vetëm 24.2% individë që nuk kanë asnjë dhëmb qumështi të prishur në gojë dhe 80.2% që nuk kanë asnjë dhëmb të përhershëm të prekur. Shpeshtësia e individëve të paprekur nga kariesi në moshën 12-vjeçare bie në 20% dhe në 10% në moshën 15-vjeçare. Të dhënat tregojnë se fëmijët e moshës 6-vjeçare kanë mesatarisht 4 dhëmbë qumështi të prishur, 0.34 dhëmbë të përhershëm të prishur dhe 87% të dhëmbëve të prishur të pamjekuar. Kjo shifër e fundit dëshmon fuqishëm se sa pak kujdes u kushtojnë prindërit dhëmbëve të përkohshëm të fëmijëve dhe sa pak të informuar janë për rëndësinë e tyre në ecurinë e shëndetit oral të fëmijëve.
Ju shpesh kryeni edhe studime në terren, cili është niveli i higjienës së gojës?
Shprehitë e higjienës korrekte të gojës fitohen që në fëmijërinë e hershme. Në këtë drejtim në Shqipëri sigurisht që ka mangësi. Janë të shumtë prindërit që nuk e dinë që dhëmbët e fëmijëve duhen pastruar qysh pas daljes së tyre, në fillim me një gishtëz të posaçme apo me pambuk, më pas me pastë “trajnuese” pa fluor, dhe kur fëmija aftësohet për të pështyrë (rreth moshës 5-6 vjeç), kalohet në larjen e dhëmbëve me pasta me 600 PPM fluor. Fëmijët mësojnë t’i lajnë dhëmbët prej prindërve.

JONIDA TASHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura