Familjarët e Kumes: Ishte masakruar

Mar 31, 2014 | 12:47
SHPËRNDAJE

Kudret Kume, shqiptari që vdiq nga torturat në burgun grek
Djali me sy të nxjerrë e thonj të shkulur, shokon familjarët. Sot, protestë në qytetin e Fierit me arkivol

“Mjeku grek na tha vdiq nga torturat. I kishin shtypur trupin”

Trupi i Kudret Kumes, shqiptari që humbi jetën si pasojë e torturave në burgun grek, mbërriti dje në fshatin Zhupan të Fierit.
Familjarë e të afërm tërhoqën trupin e të ndjerit nga morgu i spitalit të Serresit në Greqi, rreth orës 11:00. Arkivoli me trupin e 42-vjeçarit, që në Greqi njihej si Ilia Kareli, hyri nga pika kufitare e Kakavijës. Rreth orës 18:30, trupi mbërriti në banesën e nënës në fshatin Zhupan, aty ku prej disa vitesh i ndjeri kishte kërkuar të vinte i gjallë sa të çmallej me të ëmën. Trupi i masakruar u prit me ngashërimet e nënës dhe të familjarëve. Qindra të afërm e banorë të fshatit kërkojnë drejtësi. Në kërkim të drejtësisë, ata kanë menduar që në shenjë proteste të nxjerrin sot në rrugët qendrore të qytetit arkivolin me trupin e pajetë të Kudret Kumes. Arkivoli do të nxirret nga shtëpia rreth orës 13:00 dhe, para se ta nisin për në banesën e fundit, do ta sjellin në qytet. Në këtë mënyrë familja kërkon jo vetëm zbardhjen e të vërtetës mbi vdekjen e djalit të tyre, por sipas tyre edhe mbrojtjen e qindra-mijëra shqiptarëve që masakrohen në burgjet greke pa pikë mëshire, në mënyra nga më çnjerëzoret.
“Tortura çnjerëzore. Nuk i kanë lënë pjesë të trupit pa e masakruar. Madje i kanë nxjerrë edhe një sy. Edhe thonjtë ia kanë nxirë e djegur. Kraharorin ia kanë shtypur nga ana e majtë. Ia kanë nxirë gjithë trupin djalit. E kishin bërë sterrë të zi, nuk shihej”. Kështu është shprehur para mediave Ylvie Hoxha, halla e Kudret Kumes, shqiptari që u masakrua në burgun e Malandrinos pasi vrau me thikë një gardian. Ajo tregoi se ka shkuar vetë në Athinë së bashku me djalin e dajës së Kudretit, Mevlanin dhe kanë tërhequr nga morgu trupin e pajetë të Kudretit. Por pamja ka qenë shokuese.
Znj. Hoxha, ju shkuat për të tërhequr trupin. Hasët vështirësi?

Ylvie Hoxha, halla e Kudret Kumes
Shkova së bashku me kushëririn e Kudretit, Mevlanin dhe të afërm të tjerë. Kishim marrë kontakt me konsullin tonë dhe ai na ka ndihmuar shumë. Mjeku ligjor na tha se e kishin masakruar djalin.
Çfarë ju tha konkretisht mjeku ligjor?
Unë e pashë vetë trupin e Kudretit, e vesha me duart e mia. Nuk i kishin lënë më mish të bardhë. E kishin masakruar në çdo pjesë të trupit. Mjeku ligjor na tha se vdekja e Kudretit kishte ardhur si pasojë e torturave, si pasojë e rrahjes dhe masakrimit barbar që i ishte bërë. Ai tha se gjithçka e kishte shkruar edhe në raportin që na dha. Pra, vetë mjeku ligjor grek na tha se djali kishte vdekur nga torturat. Djali trupin e kishte vetëm me plagë. Edhe një sy e kishte gati të nxjerrë. Në shputat e duarve i kishte plasur mishi.
Ju dha njeri shpjegime për këtë?
Mjeku na tha se e kishte pasur nga elektroshoku, nga karrigia elektrike. Gishtat e duarve nuk i hapeshin, i ishin mbledhur nga dhimbja. Edhe thonjtë ia kishin nxjerrë nga vendi. Anën e majtë të gjoksit e kishte të shtypur, ia kishin thyer kockat djalit. Djali të dënohej, por jo të torturohej deri në vdekje.
Çfarë kërkoni nga shteti shqiptar?
Ne kërkojmë që shteti shqiptar, Policia dhe Prokuroria të hetojnë për atë që ndodhi. Kërkojmë që të bëhet ekspertim mjekoligjor edhe këtu. Kërkojmë që të vendoset drejtësia.

FIER/ MAJLINDA RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura