Fadroma e INUK shkatërron obeliskun e demokracisë në Kavajë

Sep 30, 2014 | 12:41
SHPËRNDAJE

Memoriali i demokracise para shembjes
Ishte paralajmëruar prej një viti, para zgjedhjeve të 23 qershorit, se obelisku i demokracisë në qendër të Kavajës, i pagëzuar ndryshe dhe si “Dy gishtat”, do të hiqej prej andej.
 Kryetari i PS-së Edi Rama e më pas kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi, deklaruan në atë kohë se ky monument do të hiqej dhe do t’i çohej Berishës në zyrën e tij në Tiranë. Por, rreth orës 07:45 të mëngjesit të djeshëm, fadromat e shndërruan monumentin 21-vjeçar që ngrihej para Pallatit të Kulturës në një pirg betoni.
Monumenti, simbol i lirisë dhe demokracisë, u shemb nga fadromat e INUK-ut vetëm pak orë para se të niste tryeza e përbashkët mes pozitës dhe opozitës përballë komisionerit Fyle dhe vetëm një ditë pas përfundimit të Kuvendit të Partisë Demokratike. Në fakt, ende pa nisur orari zyrtar i punës, fadroma e INUK kishte përfunduar aksionin e saj. Në bazamentin e monumentit shihje fillimisht vetëm pëllumba e më pas ia behën hajdutët e skrapit për ta “zhdukur” plotësisht nga sheshi, ku prej vitit ’93 ngrihej ky monument, simbol për ngjarjet që hoqën mbi vete të rinjtë kavajas gjatë ditëve të vrullshme të 25 dhe 26 marsit 1990. Zyrtarët e Bashkisë së Kavajës fillimisht thanë se ai do të zhvendoset për t’u ndërtuar një monument më i
Obelisku i shkatërruar nga fadroma në qendër të Kavajës
denjë, por shumë shpejt i harruan premtimet, duke bërë fakt të kryer shkatërrimin e tij. Kryebashkiaku Rroshi e argumentoi më parë shembjen e simbolit të demokracisë me projektin modern që do të përfshinte qendrën e Kavajës dhe që sipas tij nuk e pranonte këtë vepër të shëmtuar. Me argumentin se në sheshin kryesor do të kryhen punime dhe projekti modern nuk pranon këtë vepër të shëmtuar. Kohë më parë ishin po fadromat e INUK që shembën lokalet dhe kioskat përreth sheshit në qendër të qytetit për nisjen e investimit për rehabilitimin e sheshit “Demokracia” me një fond prej rreth 2 milionë dollarësh. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të degës së PD në Kavajë, Engjëll Cara, i cili u shpreh se “ky është një veprim arrogant dhe i paprecedent nga ana e Kryeministrit Rama, i Bashkisë së Kavajës dhe INUK. Monumenti në fjalë është simbol jo vetëm për Kavajën, por për gjithë Shqipërinë, pasi simbolizon fitoren e frymës antikomuniste në ditët e para të pluralizmit politik në vendin tonë. Ta harrojnë socialistët e Kavajës dhe të tjerë si ata se kjo gjë do të kalojë kaq lehtë, pasi gjithë kavajasit do ngrihen në këmbë, ashtu siç u ngritën në vitin 1990”, tha Cara.

Qytetarët në protestë për obeliskun
Shembjen e simbolit të demokracisë nuk e kanë pritur mirë as qytetarët e thjeshtë kavajas. Kryetari i shoqatës “26 marsi”, Skënder Llixha, theksoi se qytetarët e Kavajës do të protestojnë për këtë veprim të pahijshëm. “Për këtë simbol ne kemi derdhur gjak dhe do derdhim sërish nëse nuk merren parasysh kërkesat tona. Do t’i kërkojmë kryebashkiakut Rroshi të rikthejë simbolin e demokracisë”, u shpreh Llixha. Gjatë orëve të pasdites, qindra qytetarë të Kavajës, kryesisht simpatizantë të Partisë Demokratike, protestuan në vendin ku ndodhej monumenti. Teksa kritikuan ashpër vendimin e Kryeministrit Rama dhe atë të kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, protestuesit kërkuan rikthimin e monumentit në vendin ku qëndroi për më shumë se dy dekada. Organizatorët e protestës paralajmëruan përshkallëzimin e saj nëse nuk do të merren parasysh kërkesa për rikthimin e monumentit simbol të demokracisë, sikurse e konsiderojnë ata.

KAVAJE/ LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura