Evropa i thotë “PO” këstit të gjashtë për Greqinë

Nov 29, 2011 | 20:41
SHPËRNDAJE

Ministrat e Financave të Eurozonës kanë konfirmuar se qeveritë e tyre do të japin pjesën që u takon në kuadër të këstit të gjashtë të ndihmës për Greqinë.

“Eurozona” do të zhbllokojë 8 miliardë euro ndihma për Greqinë, ndihmë e cila ishte bllokuar në pritje të zbatimit të reformave ekonomike që Greqia kishte premtuar”- ka thënë ministrja austriake e Financave, Maria Fekter. Sipas medieve greke, kur ministrja është pyetur nëse do të lëvrohet kësti i gjashtë, Fekter është përgjigjur “Po”.

Ministri grek i Financave, Evangelos Venizelos tha se Greqia i ka të gjitha kushtet e nevojshme për të marrë këstin e gjashtë.

“Ne kemi konsensusin e nevojshëm politik dhe unitetin e nevojshëm kombëtar si dhe vendosmërinë për të ecur përpara”- tha Venizelos.

Në Bruksel sot do të takohen ministrat e financave të eurozonës për mbledhjen e Eurogrupit, nga i cili tregjet presin masa të reja, masa radikale për të përballuar krizën e borxhit dhe shpëtimin e euros.

Takimi i sotëm ka tërhequr vëmendjen në mbarë botën, duke patur parasysh situatën e vështirë ekonomike në të cilën ndodhet Europa, por edhe problemet në SHBA, Azi dhe pjesën tjetër të ekonomisë botërore.

Shumica prej ministrave pajtohen se përpjekjet për të shpëtuar euron duhet të jenë të menjëhershme, sepse sipas tyre, nuk ka kohë për të humbur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura