Eurodeputeti “bombardon” liderët e BE pas kontratës së avionëve privatë

Apr 30, 2012 | 13:07
SHPËRNDAJE

Zbulimet mbi një marrëveshje për të shpenzuar miliona euro nga paratë e taksapaguesve europianë mbi avionë privatë për të transportuar zyrtarët më të lartë të BE-së në takimet e tyre rreth globit në luks, kanë nxitur debate të ashpra të cilat janë hapur nga një deputet konservator. Komisioni Europian sapo ka nënshkruar një kontratë që kushton më shumë se 12 milionë euro për avionë privatë që do të transportojnë zyrtarët e lartë, si baronesha britanike Katerin Ashton, kryediplomatja europiane, apo Presidenti i KE-së Hose Manuel Barroso, nëpër takime, sipas “The Sunday Times”. Këto blerje duket se po e sfidojnë recesionin që ka mbërthyer disa nga ekonomitë më të mëdha të BE-së. Por nuk është kështu. Vetëm të mërkurën Komision provokoi debate të forta, duke propozuar një rritje inflacioni prej 6.8 për qind në buxhetin e BE-së për 2013-n. Martin Kallanan, deputet konservator për “North East”, tha “ky diskutim po vjen vetëm pak ditë pasi liderët e Komisionit kanë propozuar një set ndryshimesh në buxhet, me pretendimin se po bëjnë gjithçka për të kursyer para, por kjo kontratë tregon se ata vërtet janë të paturpë”, tha ai.  Kallanan shtoi akuzat se “Ata e kanë humbur moralin dhe mëshirën financiare të popullit, pasi janë të përgatitur të sigurohen se do të bëjnë një jetë të klasit të lartë me taksat e popullit, pa marrë parasysh se sa mund të përballojnë njerëzit e thjeshtë. Ata duket se jetojnë brenda flluskës së tyre dhe me deklarata thonë se mendojnë mbi botën, por nuk e kanë idenë se si është bota e vërtetë”. Në tetor, baronesha Ashton, zv.presidente e BE-së, u kritikua pasi bëri pushime super luksi në Australi, ndërsa liderët europianë luftonin për të shpëtuar euron.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura