Euro “sigurohet”, Gjermania miraton marrëveshjen

Sep 30, 2011 | 11:05
SHPËRNDAJE

Gjermania i ka mbajtur të gjalla shpresat se monedha e përbashkët e 17 vendeve mund t’i mbijetojë krizës së borxhit, kur ligjvënësit në Parlamentin e ekonomisë më të madhe të eurozonës votuan të martën bindshëm në favor të zgjerimit të fuqive të fondit të ndihmës. Legjislacioni mbështet marrëveshjen e 21 korrikut, me 523 vota pro dhe 85 kundër. Me Gjermaninë, marrëveshja ka miratimin parlamentar të 10 nga 17 vendet e eurozonës. Rezultati i votimit e ka forcuar pozitën e koalicionit të qendrës së djathtë të kancelares Anxhela Merkel, e cila ka luftuar për të fituar mbështetjen e një blloku anëtarësh rebelë, dhe mund të stimulojë aftësinë e saj për të negociuar masat e krizës së re europiane. Ndërsa shumë investitorë dhe ekspertë besojnë se në Europë do të duhen masa të reja, si lejimi i Greqisë për të marrë kredi të reja për borxhin e saj, aprovimi i fondit të ri në Gjermani ndihmon në evitimin e një paqartësie të re në tregje. “Mbështetja e Bundestagut (Parlamenti gjerman) është një hap i rëndësishëm për stabilitetin e eurozonës”, tha Majkëll Kemer, kreu i Federatës së Bankës në Gjermani. “Me këtë, ata kanë nisur rrugën që çon jashtë krizës së borxhit”, shtoi ai. Fondi 440 miliardë euro do të jetë në gjendje të blejë bono qeveritare dhe t’u huazojë para bankave dhe qeverive, përpara se ato të mbërthehen fort nga kriza, duke e bërë përgjigjen e Europës më të shpejtë. Ndërsa Greqia u vizitua dje nga grupi i vëzhguesve të BE-së dhe FMN-së, të cilët do të shohin edhe një herë nga afër masat e reja të kursimit në vendin e mbytur nga borxhet. Nga raportimi i tyre varet edhe marrja e këstit të ri për Greqinë, prej tetë miliardë eurosh.

Takimi, më 3 tetor
Të hënën, ministrat e financave të eurozonës dhe përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Qendrore Europiane do të takohen për të vendosur nëse Greqia e ka merituar apo jo marrjen e këstit të gjashtë të huas së ofruar në formë ndihme, një këst që është i domosdoshëm për Greqinë e mbytur në borxhe, e që sipas raportimeve, nuk mund të lajë as pagat e pensionet përtej muajit tetor, nëse nuk merr fonde të reja. Pritet që shuma prej tetë miliardë eurosh të miratohet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura