Erdogan nis procedurat për ekstradimin e rivalit Gulen

Apr 30, 2014 | 14:18
SHPËRNDAJE

Kryeministri turk, Rexhep Tayip Erdogan, ka deklaruar nisjen e procedurave për t’u kërkuar Shteteve të Bashkuara ekstradimin e kle-rikut islamik, Fethullah Gulen.
 I pyetur nga një gazetar në Parlament nëse do të niste një proces për ekstradimin e Gulen, Erdopgan është përgjigjur se “Po, do të nisë”. Erdogan e akuzon Gulen se po përpiqet ta rrëzojë atë nga pushteti dhe të dëmtojë Turqinë. Kryeministri turk edhe më parë, në deklarata publike, e ka akuzuar Gulen si organizatorin e një komploti për të sulmuar bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij në qeveri me akuza korrupsioni, si dhe montimin e disa bisedave telefonike të publikuara në internet, ku supozohet të jetë zëri i Erdogan dhe djalit të tij. Sipas Erdogan, nga Pensilvania e Shteteve të Bashkuara ku ai jeton në ekzil të vetëshpallur, Gulen po drejton fijet e gjykatës dhe policisë. Por kleriku i ka mohuar këto akuza. Në Turqi Gulen ka me miliona mbështetës dhe ekstradimi i tij besohet se mund të bëhet i mundur vetëm në rast se Turqia lëshon një mandat arresti ndaj tij, si dhe paraqet provat e një krimi, sipas një eksperti ligjor, i cili është deklaruar për agjencinë “Reuters”. Nëse kjo ndodh, do të ishte lëvizja më vendimtare për Erdogan, i cili po përballet me sfida të forta  në vitin e 11-të të pushtetit të tij. Kleriku Gulen ka jetuar në Pensilvani që nga viti 1999, kur autoritetet sekulare (ateiste) kanë ngritur  ndaj tij akuza për aktivistet islamik. Që në atë kohë ai u shndërrua nga një aleat i ngushtë i Erdogan, në armikun e tij më të madh politik. Në një intervistë në kanalin PBS të hënën në mbrëmje, Erdogan tha se Gulen përbënte kërcënim edhe për sigurinë amerikane me aktivitetet e tij. “Këta elementë që kërcënojnë sigurinë kombëtare të Turqisë nuk mund të lejohen të ekzistojnë në vende të tjera, sepse atë që ata na bëjnë ne këtu, mund ta përdorin kundër vendit pritës të tyre”, tha Erdogan, sipas një transkripti të intervistës me Çarli Rouz. Erdogan, partia e të cilit i ka rrënjët islamike, e akuzon Gulen se po ndërton një shtet paralel me mbështetësit e tij në institucione si policia dhe gjyqësori, duke i përdorur ata në një përpjekje për të marrë nën kontroll levat e shtetit.

Konflikti  me Gauk
Gjatë një vizite në Turqi të hënën, Presidenti gjerman Joakim Gauk ka kritikuar stilin e lidershipit të Erdogan dhe ka paralajmëruar kundër devijimit të lirisë së shprehjes. Por, Erdogan është përgjigjur se “Supozoj se ai ende mendon se është klerik”, duke iu referuar Presidentit gjerman, ish-pastor luterian. Erdogan ka shtuar se deklaratat e Presidentit tregojnë mungesë në burrështetësi dhe se ai ishte “i trishtuar” nga kjo sjellje. “Shtëpi që u përkisnin turqve janë djegur me motivim, racist (në Gjermani), më pas ata vijnë këtu të na japin këshilla. Mbaji këshillat për vete”, ka thënë Erdogan.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura