Erdhi për të 40-at e të atit, zhduket prej 4 ditësh emigranti

Apr 30, 2013 | 11:36
SHPËRNDAJE
Joan Kuqi, emigranti i zhdukur

VLORE- Zhduket në rrethana ende të mistershme një emigrant i sapokthyer nga Greqia. Joan Kuqi, 36 vjeç, ka dalë nga banesa e tij të premten e kaluar për pak minuta, por më pas asnjë nga familjarët e tij nuk ka dijeni për vendndodhjen. Ata i janë drejtuar policisë për ndihmë, pasi i frikësohen faktit se diçka e keqe mund t’i ketë ndodhur. Mësohet se familja Kuqi kishte ardhur nga Greqia për të 40-at e të zotit të shtëpisë. Sipas tyre, vdekja e të atit i kishte shkaktuar tronditje psikologjike 36- vjeçarit, deri në atë pikë sa ai kishte kaluar në gjendje depresive. Pasi kanë pritur deri në mëngjesin e të shtunës, familjarët i janë drejtuar për ndihmë Policisë së Vlorës, duke kryer edhe kallëzimin për zhdukjen e tij. Sipas të afërmve të 36- vjeçarit, prej humbjes së babait të tij 40 ditë më parë, ai e ka përjetuar shumë rëndë ngjarjen. Familja kishte ardhur në Shqipëri, pasi jetonte në Greqi. Ata do të largoheshin të dielën, por zhdukja e Joanit i ka detyruar ata të shtyjnë qëndrimin. Vëllai i tij, Vladimir Kuqi, u shpreh se humbja e babait i kishte shkaktuar vëllait më të madh probleme emocionale. “Nuk ka shokë në Vlorë, për shkak se është larguar që në vitin 1991 nga Shqipëria. As ne si familje nuk kemi asnjë problem apo konflikt këtu”, u shpreh Vladimir Kuqi. Ai bën apel për ndihmë, ndërsa Policia e Vlorës ka shpërndarë fotografinë e të zhdukurit.                                                                           q.b

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura