ERAND SOJLI: Si arrita të transformohem në dhjetë meshkuj të ndryshëm në “Wanted”

Feb 26, 2011 | 13:52
SHPËRNDAJE

Të gjesh njeriun ideal është vërtet mision i pamundur, aventurë me zhgënjime të shumëfishta apo një ironi fati?! Është zgjedhur fjala “Wanted” për një vajzë rreth të tridhjetave, personazhi kryesor i sitcomit të ri, që interpretohet nga aktorja e spktaklit “Portokalli”, Brunilda Zekthi. Pas një jete ndryshe në perëndim, vjen në Shqipëri të gjejë burrin e ëndërruar. Takon dhjetë meshkuj të të gjitha profesioneve dhe prirjeve; nga piloti që pretendon ta bëjë të ndihet në ajër dhe deri tek djali gay, që mund ta bëjë të ndihet përtokë. Meshkuj nga 20 -70 vjeç të gjithë vijnë nga një shndërrim artistik prej kameleoni i aktorit 40- vjeçar, Erand Sojli. Ndoshta për t’iu afruar psikozës femrore, se të gjithë meshkujt janë njësoj, ai ka vendosur t’i luajë vetë karakteret, që vajza dhe mamaja e saj takojë në seritë e para të kësaj komedie romantike. Dy skenaristët motër e vëlla tregojnë se si janë frymëzuar për këtë gjetje, ku nuk flitet thjesht për dhjetë lojtarë meshkuj dhe një femre humbëse, por për ndjenja.
Erand keni përfunduar xhirimet e 10 serive të para të sitcom-it “Wanted”. Një femër rreth 30 vjeç në kërkim të njeriut ideal, pse vendosët të bëni personazh në këtë moshë?
Duke qenë se Irisi, njëkohësisht motra ime është skenaristja e parë dhe shumë më pranë kësaj moshe, ajo mendoi se ishte koha të flitet për një çështje që buron nga transformimi i shoqërisë së sotme. Brezi i tridhjetëvjeçarëve të sotëm, në mes të dy kohërave diametralisht të kundërta, ka kërkesat pa fund në lidhje me njeriun ideal dhe të ardhmen me të. Si rezultat, këta (ende) të rinj, në shumicën e tyre janë të vetmuar dhe zhvillojnë pasiguri, që nuk i ndihmojnë në gjetjen e partnerit. Kjo është një temë e superdiskutuar në ambientet familjare, por askush deri tani nuk e ka konsumuar nga pikëpamja artistike. Mendoj se gjetja është vërtet një sukses i Irisit dhe veshja e saj me histori është sukses i marrëdhënies sonë motër– vëlla. Për të tjerat e ka fjalën teleshikuesi.
Deri ku shkon fantazia e një motre dhe një vellai për të krijuar  situatat e komedisë romantike “Wanted”?
Mua më ka ngacmuar fakti që këtu te ne njerëzit janë shumë të prirur të flasin për urrejtje, për puçe, për luftëra… Pra, për çdo gjë tjetër, përveç dashurisë dhe njeriut. Ky ka qenë boshllëku që ne kemi hasur dhe ndaj përfituam për ta realizuar këtë serial. Fantazia jonë nuk ka shkuar më larg se sa shkon marrëdhënia ndërgjinore me të gjitha komplekset që mbart shoqëria jonë, duke filluar që nga thashethemi e duke mbaruar te puna.
Interpretoni me aktoren me që keni një numër në spektaklin “Portokalli”, pse  zgjodhe Brunildën?
Brunilda ishte pjesë e stafit që në fillim. Ajo përmbushte imazhin që kishte skenari duke qenë se ishte e freskët në Shqipëri. Dhe personazhi ishte i tillë. Ajo kishte brenda sinqeritetin e të gjithë atyre që kthehen në Shqipëri pas shumë vitesh dhe kujtojnë se ne kemi ndryshuar.
Karakter i rëndësishëm i sitcom-it është dhe roli i mamasë, që luhet nga Mariana Kondi. Si vjen kjo aktore?
Kemi qenë po ashtu të sigurt edhe për mamanë e saj, e cila mishërohet pikërisht nga Mariana. Një mama model, “trendy” nga paraqitja me vëthët e shumtë në vesh, por shumë tradicionale në kërkesat e saj kundrejt vajzës. Si Bruna dhe Mariana janë përshtatur me njëra- tjetrën aq mirë, sa dhe në jetë janë bërë si mami dhe vajza.
Ç’mund të thoni për paskuintat në sheshxhirim?
Pasi u kompletuam me aktorë na u desh të përzgjidhnim mjeshtrat e realizimit të këtij skenari, dhe besoj që ja dolëm. Dëshiroj këtu të falënderoj nga zemra mjeshtrin e fotografisë, Spartak Papadhimitri, i cili u përkushtua dhe besoi te gjetja jonë duke sakrifikuar dhe plotësuar të gjitha tekat e skenarit dhe aktorëve. Kemi xhiruar pothuaj në gjithë Shqipërinë dhe në asnjë moment nuk jemi ndjerë keq. Durimi i regjizorit Dionis Papadhimitri më ka impresionuar. Duke qenë se unë jam një skenarist dhe aktor rebel, ai ka ditur me shumë zgjuarsi dhe urtësi ta çojë filmin në destinacion. Sigurisht nuk dua të lë pas pjesën tjetër të grupit; Bledin, Valdin, Elvin, Klajdin, etj.
Dimë se ju luani të 10 meshkujt që personazhi femër takon në jetën e saj. Cilët janë profesionet, prirjet e tyre dhe në ç’rast keni luajtur Erandin?
Erandin nuk e kam luajtur në asnjë rast ose çdo karakter ka nga pak Erand brenda. Sa për profesionet e personazheve janë të ndryshëm duke filluar nga; piloti, psikologu, piktori, këngëtari, mësuesi, e deri tek mashtruesi. Sigurisht gjithë këto karaktere janë realizuar jo vetëm me meritën time, por edhe të grimiorit të famshëm Edmond Lako, i cili me paruket dhe grimin e tij arrin të shndërrojë një 40-vjeçar në 20 vjeç dhe në 70 vjeç. Them këtë, pasi në momentin që unë isha i grimuar karakteri buronte. Nuk e di se sa ia kam arritur, por nuk besoj që kam gabuar.

Para një femre jam i pafuqishëm

Të ka ndodhur në jetë të shfaqesh në burra të ndryshëm për çdo femër që mund të kesh njohur?
Besoj që gjithë shqiptarët e kanë talent aktrimin, përderisa këtu mungon sinqeriteti dhe buron thashethemi. Ndërsa për çështje femrash, besoj që nuk më ka ardhur momenti të aktroj. Bashkëshortja ime është ende burimi i frymëzimit tim. Përpara saj nuk mundem të aktroj dot.
Në këtë komedi romantike personazhet flasin për ndjenjën, dashurinë… Ka dashuri sot në këtë metropol?
Në këtë kohë që jetojmë unë besoj se ka shumë dashuri, por ajo është e fshehur, e frikësuar nga krizat e njëpasnjëshme që përjeton shoqëria shqiptare. Njeriu është i fundit që i intereson këtij realiteti. Dhe pikërisht këtu ka qenë dhe frymëzimi i Irisit për të sjellë një skenar me një temë të tillë. Duke qenë se dhe ajo është një e kthyer nga perëndimi (Franca), ashtu si personazhi kryesor.
Sipas jush cilët ndihen më vetëm, çiftet apo beqarët?
Vetmia është vrastare për disa njerëz dhe lumturi për disa të tjerë. Unë besoj se vetmia është e keqe, por më e keqe se vetmia është kur ke në krah një njeri sa për të thënë “Nuk jam vetëm”
Edhe në këtë skenar theksohet “liria” personale, deri ku shkon liria individuale e njerëzve sot?
Ka një thënie shumë të madhe për lirinë. Po e citoj shkurt dhe kuptoje vetë. “Për dashurinë jap jetën. Për lirinë jap dashurinë”.
Kush  e kanë në dorë një lidhje sot, femrat apo meshkujt?
E bukur kjo. Në ditët e sotme femra është bërë e plotfuqishme, përderisa shumë gjëra varen prej saj. Ndoshta kështu ka qene dhe më parë por tani kjo gjë është më evidente. Ndoshta meshkujve iu vjen keq por unë i pari e pranoj se para një femre jam i pafuqishëm.

 

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura